Klement Çala është rivendosur në regjimin e Posaçëm (41-biss) në burgun e sigurisë së lartë për një afat prej 1 (një) viti, pranë IEVP-së Peqin.
Klement Çala ka qenë edhe më parë në “41 Biss” por që doli nga aty me vendim të Gjykatës së Posaçme.
Prokuroria Speciale SPAK e ka akuzuar Klement Çalën, vëllanë e tij Eldi Çala dhe gjashtë persona të tjerë si pjesë e një grupi kriminal që grabiti miliona euro në barkun e një avioni, i cili do të nxirrte paratë e disa bankave të nivelit të dytë jashtë vendit.
Grabitja ndodhi në aeroportin e Rinasit, mesditën e 9 prillit. Një makinë pa targa mbi të cilën shkruhej “Hetimi Tatimor” vodhi 4.6 milionë euro që do të transportoheshin drejt Vienës. Pasi kryen grabitjen, autorët u larguan me shpejtësi nga dera e pasme e aeroportit.
Gjatë largimit pati edhe një shkëmbim zjarri mes autorëve dhe policisë, ku mbeti i vrarë Admir Murataj, i cili mendohet se ishte koka e grupit. Ky i fundit ka qenë si i dyshuar dhe i cilësuar si “koka e grupit” që organizoi grabitjen e Rinasit.
Po ashtu, i përfshirë ka qenë dhe një shqiptar i Kosovës, Ragip Hajdini. Ky i fundit njihej me nofkën “Daja” dhe u arrestua gjatë një operacioni te “Shkëmbi i Kavajës”. 50 vjeçari ishte i sëmurë dhe pas 4 ditësh në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërroi jetë. Akuza ndaj tij u pushua.