Cikloni Chido godet arkipelagun Mayotte të Francës, mijëra viktima

Mijëra persona mund të kenë humbur jetën nga cikloni Chido në arkipelagun francez Mayotte në Oqeanin Indian.

“Mendoj se do të jenë me siguri qindra, ndoshta edhe mijëra, disa mijëra”, tha në kanalin televiziv Mayotte La 1ere, prefekti Francois-Xavier Bieuville.

E pyetur për viktimat, ministria e brendshme franceze tha se “do të jetë e vështirë të evidentohen të gjitha viktimat” dhe se një shifër e saktë nuk mund të përcaktohej në këtë fazë.

Cikloni Chido goditi në Mayotte gjatë natës, tha administrata zyrtare e metereologjisë Meteo-France, me erëra me shpejtësi mbi 200 kilometra në orë që dëmtuan vendstrehimet, godinat e qeverisë dhe një spital. Sipas Meteo-France, kjo ishte stuhia më e fuqishme që ka goditur ishullin në mbi 90 vite.

Pamjet nga ajri nga forcat e xhandarmërisë franceze tregonin rrënojat e qindra barrakave nëpër kodrat e njërit prej ishujve Mayotte, ku ka patur një përqëndrim emigrantësh të paligjshëm nga Comorosi fqinj.

Rezultoi e vështirë përllogaritja e viktimave pas ciklonit, që shkaktoi shqetësime edhe për qasjen tek ushqimi, për ujin e pijshëm dhe higjienën, thanë autoritetet.

“Për numrin e viktimave, do të komplikohet situata, pasi Mayotte është territor mysliman ku të vdekurit varrosen brenda 24 orëve”, tha një zyrtar i ministrisë së brendshme franceze. Sipas ministrisë, në Mayotte gjenden mbi 100 mijë emigrantë pa dokumente.

Duhen katër ditë udhëtim me anije që të mbërrihet në Mayotte, e gjendur gati 8 mijë kilometra larg Parisit. Mayotte është më e varfër se pjesa tjetër e Francës dhe është përballur prej dekadash me dhunën nga bandat dhe trazirat sociale.

Cikloni u zhvendos të dielën drejt Mozambikut verior, ku nuk ishin ende të qarta pasojat e goditjes. Sipas një njoftimi në rrjetin X të monitoruesit të internetit NetBlocks, reshje të mëdha dhe erërat kishin dëmtuar furnizimin me energji dhe infrastrukturën e telekomunikacionit.


Shtuar 16.12.2024 12:12