Aksident në Xibrakë/ Përplasen dy makina, drejtuesit dërgohen me urgjencë në spital (EMRAT)

Mëngjesin e sotëm rreth orës 06:20, në aksin e rrugës kombëtare Librazhd-Elbasan, është regjistruar një aksident automobilistik.

Sipas burimeve nga vendngjarja, aksidenti ka ndodhur në fshatin Xibrakë të Njësisë Administrative Labinot Fushë.

Në këtë aksident, u përshi automjeti tip “Skoda” që drejtohej nga 54-vjeçari, Ilirjan Kllogjeri si edhe automjeti tip “Toyota” me drejtues 35-vjeçarin Vullnet Kazia nga Peshkopia.

Si pasojë e aksidentit automjetet janë dëmtuar pothuajse plotësisht, ndërsa drejtuesit e tyre kanë mbetur të plagosur rëndë. Ata janë dërguar në repartin e kirurgjisë së Spitalit Rajonal të Elbasanit për trajtim mjekësor.

Burime spitalore bënë me dije se jeta e tyre është jashtë rrezikut. Ndërkaq, të plagosurve u është bërë edhe testi i alkoolit dhe ka rezultuar se nuk kishin konsumuar alkool.

Policia po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit dhe paraprakisht, dyshohet se moti i keq dhe mos respektimi i rregullave të shpejtësisë së qarkullimit në këtë aks, mund të kenë qenë shkaqe për aksidentin.


Shtuar 10.12.2024 08:17