Dhjetëra sulme ajrore, me “shënjestër” kampet e ISIS në Sirinë qendrore janë kryer mbrëmjen e kësaj të diele nga Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Siç njoftoi CENTCOM, sulmet kundër kampeve të ISIS-it u kryen për të parandaluar grupin terrorist dhe për t’u siguruar që ata mos përfitojnë nga situata aktuale për t’u rigrupuar në Sirinë qendrore.
Sulmet u zhvilluan menjëherë pas deklaratave të presidentit Joe Biden, i cili u shpreh se SHBA nuk do të lejojë që të krijohet një strehë e sigurt për anëtarët e organizatës terroriste, ISIS.
“Sulmet kundër liderëve, operativëve dhe kampeve të ISIS-it u kryen si pjesë e misionit të vazhdueshëm për të përçarë dhe mposhtur ISIS-in, me qëllim që të parandalohet grupi terrorist nga kryerja e operacioneve të jashtme dhe të sigurohet që ISIS të mos përpiqen të përfitojnë nga situata aktuale për t’i rigrupuar në Sirinë qendrore.
Gjatë këtij operacioni u goditën mbi 75 objektiva duke përdorur mjete të shumta të Forcave Ajrore të SHBA, duke përfshirë B-52, F-15 dhe A-10. Vlerësimet e dëmeve të betejës janë duke u zhvilluar dhe nuk ka të dhëna për viktima civile. CENTCOM, së bashku me aleatët dhe partnerët në rajon, do të vazhdojnë të kryejnë operacione për të mbajtur në kontroll ISIS-in gjatë kësaj periudhe dinamike dhe tensionesh në Siri”, njofton Komanda Qendrore e SHBA-së.