Teksa BKH ka sekuestruar telefonin e Ajola Xoxës, dhe vëllait të tij, Veliajt po mundohet që përmes PR-it të tij të hiqet sikur çdo gjë është normale.
Sot ai, përmes stafit të bashkisë, ka publikuar një lajm të gatshëm për mediet lidhur me një takim që ka pasur me kryetarin e Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu.
“Lajmi” i gatshëm i shpërndarë nga bashkia:
Në ditën kur Tirana pret Samitin e Rrjetit më të madh të bashkive të rajonit të Ballkanit, B-40, kryebashkiaku Erion Veliaj priti kryetarin e Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, dhe një delegacion nga bashki të ndryshme të Turqisë.
Në fjalën e tij, Veliaj u shpreh se Tirana po përmbyll një vit të suksesshëm me Presidencën e B-40, duke zgjeruar rrjetin e bashkive pjesëmarrëse.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme sot që miku im, vëllai im, Ekrem Imamoğlu, është këtu, së bashku me një delegacion të kryetarëve të bashkive nga Turqia. Ne po përmbyllim një vit shumë të suksesshëm me B-40. Ka qenë një nismë e z. Ekrem për t’u njohur mes nesh, për të punuar dhe bashkëpunuar mes nesh. Me Presidencën e B-40 Tirana ka qenë një histori suksesi, që ne duam ta vazhdojmë me presidencën e radhës, dhe më vjen mirë që rrjeti ynë, nga 21 qytete anëtare ka shkuar në mbi 70 bashki. I kemi më shumë se trefishuar përpjekjet tona dhe ashtu siç po kuptojmë nga integrimi europian, integrimi mes nesh është gjithashtu shumë i rëndësishëm”, tha Veliaj.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, u shpreh i kënaqur me suksesin e Tiranës dhe vlerësoi punën e kryebashkiakut Veliaj për ta transformuar qytetin në një vend të jetueshëm për qytetarët. “Jam i lumtur kur shoh suksesin e qytetit të Tiranës nën drejtimin e mikut tim të dashur, Erionit, i cili ka ndërmarrë disa hapa konkrete dhe shumë të rëndësishme drejt arritjes së këtij qëllimi, dhe është një shembull i suksesshëm kur vjen puna për krijimin e qyteteve të jetueshme në Europë dhe e gjithë Europa po i ndjek hapat e tij të suksesshme”, tha İmamoğlu.
Kryebashkiaku i Stambollit deklaroi se Tirana, nën drejtimin e Veliajt, është kthyer në një qytet që mbështetet në ndërtimin e marrëdhënieve të reja e të forta të bashkëpunimit në rajon.
“Jam shumë krenar kur shoh përpjekjet e suksesshme të mikut tim, Erionit, për të përmirësuar diplomacinë mes qyteteve të rajonit dhe falë kësaj, sot Tirana është kthyer në një qytet të mirëlidhur, që mbështetet në ndërtimin e marrëdhënieve të reja e të forta të bashkëpunimit në rajonin tonë. Tirana është një qytet që ne e ndjekim me vëmendje dhe jemi krenar për historinë e saj të suksesit. Unë besoj se rrjeti i B40 është shumë i rëndësishëm për rajonin dhe qytetet e Ballkanit dhe mendoj se është një shembull konkret kur vjen puna për diplomacinë mes qyteteve. Për këtë sukses dua të falenderoj veçanërisht mikun tim, Erionin, për Presidencën e tij të suksesshme dhe mezi po pres bashkëpunimin tonë të mëtejshëm. Ne po investojmë dhe jemi të vendosur të krijojmë një mjedis më të jetueshëm për fëmijët, të rinjtë dhe gratë në qytetet tona, po ashtu edhe në të gjithë rajonin tone”, deklaroi İmamoğlu.
Veliaj shprehu bindjen se pas përmbylljes me sukses të drejtimit të B-40, Tirana do të shkëlqejë edhe si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe i Dialogut vitin tjetër.
“Ky rrjet, i frymëzuar dhe i themeluar nga ju, por edhe e gjithë skuadra e përfshirë në B-40, na ka ndihmuar që të lidhemi si kurrë më përpara me vendet e tjera të Ballkanit, duke u siguruar që mësojmë nga njëri-tjetri, që e ndihmojmë njëri-tjetrin në raste sfidash, në vështirësi si ato që kaluam me covid-in apo tërmetin. Nga ana tjetër, investojmë që të rinjtë tanë, që në moshë të vogël, të jenë pjesë e këtyre rrjeteve, rrjeteve të inovacionit, rrjeteve kreative, rrjeteve të kulturës. Tirana po e përmbyll këtë vit të B-40, që në vitin 2025 të marrë një stafetë tjetër si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Jam i sigurt se do të shkëlqejmë edhe në atë detyrë të re”, theksoi Veliaj.
Rrjeti i bashkive të rajonit u krijua në nëntor të vitit 2021, në një kohë kur i gjithë globi përballej me pandeminë Covid-19, si urë bashkëpunimi mes qyteteve.