Me datë 28 nëntor është ndarë nga jeta në moshën 89 vjeçare Sherafet Kruja, një nga ekonomistët më të shquar dhe të vjetër shkodran. Ai lindi në Shkodër më 6 shkurt 1935 në një familje tradicionale shkodrane. Gjyshi i tij Sulejman Kruja merr pjesë në mbrojtje të qytetit në rrethimin malazez 1912-1913, ku më pas ndërron jetë në moshë të re. Djemtë e tij ndonëse në moshë të re vazhdojnë rrugën e të atit, atë të tregtisë. Babai i Sherafetit, Mustafa merrej me tregti të lëndëve të ndërtimit, deri kur fillon regjimi komunist, kur fillojnë dhe sfidat e familjes, sidomos pas arratisjes së vëllait Skenderit më 1956, kur Sherafeti ishte në vit të fundit në universitet.
Sherafet Kruja ka pasur një rrugë të gjatë dhe të suksesshme në fushën e karrierës profesionale, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit.
Shkollimi dhe Edukimi: Sherafeti përfundoi gjimnazin “28 Nëntori” më 1953. Pas diplomimit, ai vazhdoi studimet e larta në Institutin e Lartë Ekonomik, ku e përfundoi me sukses në vitin 1957.
Kontributi Shkencor dhe Profesional: Sherafeti ka paraqitur studime në sesionet shkencore të rrethit në vitet 1963, 1978, 1979 dhe 1981, ku trajtoi tema të rëndësishme ekonomike si:
• Llogaritja e prodhimit dhe rendimentit të punës,
• Rrugët dhe mundësitë e uljes së normativave të materialeve,
• Rritja e koefiçentit të dobishëm të përdorimit të lëndës drusore, etj.
Ai ka botuar disa artikuj në gazetat e kohës, të cilët kanë trajtuar industrinë e drurit dhe zhvillimet e saj. Përveç kësaj, Sherafeti ka zhvilluar tema të rëndësishme me ekonomistët e rretheve në Fakultetin Ekonomik të Tiranës lidhur me organizimin dhe drejtimin e industrisë së drurit dhe shfrytëzimin më racional të lëndës drusore.
Kualifikimi Ndërkombëtar: Sherafeti ka marrë pjesë në disa seminare dhe trajnime ndërkombëtare:
• 1992: Seminar me pedagogë të Universitetit Nebraska – Linkon të SHBA-së, me tema mbi ekonominë e tregut dhe menaxhimin.
• 1994: Seminar 20 ditor me pedagogë të Universitetit San Diego të SHBA-së, me tema mbi menaxhimin e ekonomisë së tregut.
• 1994 dhe 1995: Seminar me pedagogë të Universitetit të Kaledonisë të Glasgow, me tema mbi drejtimin e ekonomisë.
Karriera Profesionale: Sherafeti ka pasur një karrierë të gjatë dhe të suksesshme, duke punuar në pozita të rëndësishme dhe kontribuar në zhvillimin e industrisë dhe ekonomisë:
• Kryetar i Degës së Planit në Kombinatin e Drurit (1964-1983): Ka luajtur një rol kyç në zhvillimin dhe menaxhimin e industrisë së drurit për gati dy dekada.
• Kryetar i Degës së Planit në Kooperativën Bujqësore të Koplikut (1983-1987).
• Kryetar i Degës së Planit në Uzinën e Autobusave (1987-1991).
• Kryetar i Financës dhe Buxhetit të Rrethit (1991-2000): Ai ka menaxhuar financat dhe buxhetin e rrethit, duke pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të zonës.
Pas 43 vitesh punë, Sherafeti doli në pension në vitin 2000. Gjatë karrierës së tij, ai ka kontribuar në mënyrë të rëndësishme në zhvillimin ekonomik të vendit, veçanërisht në sektorët e industrisë së drurit dhe planifikimit ekonomik.
Gjatë viteve të demokracisë ai mori pjesë aktive në proceset demokratike të vendit, duke dhënë kontributin e tij shkencor dhe intelektual qoftë për institucionet shtetërore si Këshilli i Rrethit e më pas Bashkinë Shkodër, po ashtu edhe ato akademike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Ai ishte një shembull i përkushtimit, ndershmërisë dhe i arritjeve në jetën profesionale dhe edukative, duke shërbyer si një qytetar model. Sherafeti la dy fëmijë, arsimtarë, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, pedagog në universitet dhe Jeta Demetja (Kruja), mësuese, si dhe 5 nipa! Me 29 nëntor qindra familjarë dhe dashamirës e përcollën për në banesën e fundit me nderime dhe respekte për njeriun model të qytetit të Shkodrës.