Pagesa deri në 1,000 euro në muaj, si po lulëzon tregu për punësimin e dadove dhe të punonjësve për kujdesin e të moshuarve në Shqipëri.
Sipas agjencive të ndërmjetësimit, 70% e kërkesave kryesohen nga punësimet e kujdestarëve për të moshuarit.
Ndërkohë, është rritur numri i grave që emigrojnë në Europë për të punuar si dado. Ekspertët ngrenë shqetësimin për zgjerimin e një tregu informal.
Pas daljes në pension, pas 40 viteve punë mami materniteti, zonja Tixhe Lika, prej 5 vitesh punon si kujdestare fëmijësh. 66-vjeçarja e ndërthur punën e dados me kualifikimin e marrë në sektorin e kujdesit të personelit shëndetësor.
Zonja Lika kujdeset 6 orë në ditë për një fëmijë të moshës 3-vjeç, gjatë 5 ditëve të javës, kundrejt pagesës mujore neto prej 50 mijë lekësh. Ajo thotë se në këtë profesion e mban më tepër të përfshirë jo vetëm lidhja shpirtërore që krijon me fëmijën, por edhe me familjarët e tij.
Në të kundërt, siç pohon ajo, “nëse do të ndihesha e huaj në shtëpinë e punëmarrësve, do ta braktisja si punë”. Pas disa vitesh eksperiencë, zonja Lika thotë se do të largohet nga ky profesion kur të ketë përmbushur misionin e saj, për të lënë pas disa familje të lumtura.
Jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe, janë të shumta familjet që kërkojnë të punësojnë dado për rritjen e fëmijëve dhe gra për kujdesin ndaj të moshuarve.
Në periudhën janar-shtator 2024, në rang vendi, sipas të dhënave nga databaza e portalit “Çelësi” dhe agjencisë së rekrutimit “Profesionisti” u ofruan 1,103 njoftime për vendin e punës së dados. Krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar, numri i njoftimeve u rrit me 22%.
Në vitin 2023, numri i njoftimeve për punësim babysitter arriti në 1,203. Krahasuar me vitin paraardhës numri i tyre u rrit me 10%.
Sipas drejtueseve të agjencive të ndërmjetësimit, kërkesat për punësimin e dadove nisin që nga punësimi i një dadoje që të jetojë në shtëpi me familjen e deri te puna javore, me kohë të pjesshme apo dado e natës për prindërit e rinj.
Por oferta për rekrutimin e dadove nuk arrin t’i përgjigjet kërkesës së lartë, për shkak të rritjes së emigrimit. Koordinatorja e agjencisë së ndërmjetësimit “Melisa”, znj. Vali Erindi, tha për “Monitor” se është në rritje numri i grave të punësuara, për periudha 3-mujore apo edhe më gjatë te familjet e emigrantëve në vendet e BE-së, për shkak të pagave të larta.
“Në vend, kërkesa është e lartë për punësim dadoje, por oferta mbetet e ulët. Gratë parapëlqejnë të kryejnë punë sezonale për kujdesin e fëmijëve, për periudha sezonale 3-mujore te familjet emigrante, kryesisht në Zvicër, për shkak të pagave të larta krahasuar me pagesat e Shqipërisë. Në shtetet e BE-së, pagat variojnë nga 800 deri në 1,100 euro.
Duhet pasur parasysh se puna si dado nuk është afatgjatë, pasi te ne mbahet më tepër deri sa fëmija arrin moshën për të shkuar në çerdhe apo në kopsht. Pra ende nuk është krijuar mendësia e të pasurit gjithmonë një guvernante në familje. Për këtë arsye, të punësuarat janë të detyruara të kërkojnë punë në një tjetër punëmarrës, apo të emigrojnë jashtë për paga më të mira”, thotë ajo.
Agjencia “Melisa”, përveç ndërmjetësimit për punësimin e grave në shërbimin e kujdesit të fëmijëve e të moshës së tretë, mundëson edhe kurse kualifikimi javore falas për dhënie të njohurive për etikën në punë, profesionalizimin etj.
Edhe Albana Uku, drejtuese e Agjencisë së Ndërmjetësimit për Zonjat, tha se kërkesa për punësimin e grave si kujdestare fëmijësh është në rritje, por për shkak të emigracionit për paga më të larta, oferta mbetet e ulët.
“Te profesioni i dados në Shqipëri është problem pagesa e ulët. Paga mesatare arrin deri në 45 mijë lekë në muaj. Pagesa mesatare duhej të ishte 60 mijë lekë në muaj. Rritja e pagave do të frenonte emigracionin e dadove. Për rrjedhojë do të rritej oferta”, thekson zonja Uku.
Vërshojnë kërkesat për kujdestarë të moshuarish
Ndryshimet demografike të popullsisë në 12 vite kanë thelluar problemin e plakjes së popullatës dhe largimin e të rinjve. Rritja e numrit të popullsisë në moshë pensioni dhe tkurrja e moshës së re ka rritur ndjeshëm nevojat për shërbime trajtimi ndaj moshës së vjetër.
Në periudhën janar-shtator 2024, në rang vendi, sipas të dhënave nga databaza e portalit “Çelësi” dhe agjencisë së rekrutimit “Profesionisti” u ofruan 6,963 njoftime për vendin e punës së kujdestarit të të moshuarve. Krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar, numri i njoftimeve u rrit me 43%.
Për vitin 2023, numri i njoftimeve për punësime kujdestari arriti në 4,829. Krahasuar me vitin paraardhës, numri i tyre u rrit me 18%.
Koordinatorja e agjencisë së ndërmjetësimit “Melisa”, zonja Vali Erindi, tha se 70% të kërkesës për punësime kryesohen nga kujdestaret për të moshuarit.
“Ky treg është rritur ndjeshëm dhe arrihet të mbulohet me punonjëse, ndryshe nga kujdestaret e fëmijëve që preferojnë më tepër të emigrojnë”.
Nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011 te regjistrimi i vitit 2023, numri i popullsisë nga 0 deri në 49 vjeç është në rënie, teksa është rritur ndjeshëm numri i popullsisë nga 50 deri në 94 vjeç.
Sipas të dhënave të Censit 2023, numri i popullsisë së grupmoshës nga 85 deri në 89 vjeç ka shënuar rritjen më të lartë me 79% krahasuar me të dhënat e Censit 2011. Gjatë këtyre 12 viteve, te popullsia e grupmoshës 65-69-vjeç është shënuar rritje e lartë, me 63%. Popullsia e grupmoshës 80 deri në 84-vjeç është shtuar me 75% krahasuar me Censin e 2011. Numri i popullsisë së grupmoshës 70-74 vjeç është rritur me 36%, të grupmoshës 75-79 vjeç është rritur me 27% dhe për grupmoshëm 90-94 vjeç, popullsia është rritur me 24%.
Ndërsa të dhënat e Censit 2023, treguan se numri i popullsisë së grupmoshës nga 0 deri në 4-vjeç ka rënë me 31,6%, të grupmosha 5-9 vjeç, numri i tyre ka rënë me 31% dhe për grupmoshën nga 10 deri në 14 vjeç, rënia e numrit të popullsisë është me 41,4% krahasuar më regjistrimin e popullsisë në Censin e 2011-s.
Rënia më e lartë te grupmoshat e reja për 2023 është shënuar te grupi nga 15 deri në 19 vjeç me tkurrje 46,8%, një tregues sipas ekspertëve i shtimit të emigracionit familjar.
Të dhënat e Censit 2023, referuan gjithashtu se në të gjithë vendin rreth 64 mijë persona mbi 60-vjeç jetonin vetëm. Nga 103 mijë persona të cilët jetonin vetëm, 62,5% e tyre ishin 60-vjeç e lart (64,375 persona).
Për sociologun Gëzim Tushi, rritja e numrit të të moshuarve që jetojnë vetëm ka shtuar nevojën për më tepër shërbime sociale.
“Janë shtuar të moshuarit e braktisur nga familja biologjike (fenomen i ri i shfaqur në këto tre dekada), ka një rritje të numrit të të moshuarve që jetojnë të vetmuar dhe që kanë nevoja për shërbim social. Vetmia është një plagë sociale që po zgjerohet me shpejtësi.
Një pjesë e atyre që jetojnë të vetmuar, kanë shtëpi personale dhe pension, por nuk kanë aftësi për të kryer shërbimet e duhura. Ata nuk kanë nevojë për trajtime rezidenciale në shtëpitë e të moshuarve, por kanë nevojë për shërbime të vogla. Një nevojë për shërbime mobile dhe kujdes komunitar”.
Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24,0% nga 30,4% vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve shënoi rritje në 30,4% nga 16,7% në 2011.
Analizuar në nivel qarku, Kukësi dhe Gjirokastra mbajnë pozicione të kundërta në termat e raporteve të varësisë: Kukësi ka raportin e varësisë së të rinjve më të lartë (31,8%) dhe raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve (19,9%).
Ndërsa Gjirokastra ka raportin e varësisë së të rinjve më të ulët (19,0%) dhe raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve (46,1%). Mosha mesatare e popullsisë është 42,5 vite, nga 35,3 vite që ishte në Censin 2011
Faktorët ndikues të lindjeve, vdekjeve dhe migracionit ndërkombëtar/të brendshëm sollën ndryshimin e strukturës së popullsisë, në Censin e 2023.
Duke analizuar grupmoshën 50-69 vjeç në piramidën e popullsisë, vërehet zgjerim që përputhet me një periudhë lindjesh midis mesit të viteve 1950-1970. Shqipëria gjatë kësaj periudhe është karakterizuar nga një rritje e normave të lindshmërisë, njohur si “baby boom”.
Normat e ulëta të lindshmërisë dhe trendi në rënie, kombinuar me emigracionin e popullsisë në moshë riprodhuese solli ngushtimin e bazës së piramidës së popullsisë. Lindshmëria nën nivelin e zëvendësimit prej vitit 2001, rritja e jetëgjatësisë, si dhe migracioni mbeten faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë.
Familjet që kërkojnë të punësojnë një dado apo një punonjëse për kujdesin e të moshuarve kanë në dispozicion një buxhet të caktuar, për të cilat, në disa raste, bien dakord për pagën edhe më të punësuarat, pavarësisht orientimit për pagesën të marrë nga agjencia e ndërmjetësimit.
Por edhe pse nuk përjashtohet ujdia për rrogën mes punëmarrësve dhe punëdhënësve, nga agjencitë e ndërmjetësimit ka një kontroll mbi strukturën dhe normën e çmimeve.
Sipas të dhënave të marra nga agjencitë, për një dado me eksperiencë, pagesat mujore neto variojnë në vlera nga 45-47 apo 50 mijë lekë deri në 60 mijë lekë. Kushtet e punës për përfitimin e këtyre pagesave përfshijnë kujdesin për një fëmijë, 8 orë në ditë, gjatë 5 ditëve të javës.
Nëse e punësuara do të kujdeset për dy fëmijë, pagesa mujore arrin deri në 80 mijë lekë. Në disa raste, sipas burimeve nga tregu, pagesat janë edhe 5 euro/ora apo deri në 1040 euro në muaj, për 5 ditë të javës, 8 orë.
Familjet që punësojnë dado nëpërmjet agjencive duhet të paguajnë komision në vlerën e 10-60 deri në 100% të pagës mujore të së punësuarës. Komisioni ndaj agjencisë paguhet vetëm një herë.
Ndër vite, pagesat për dado kanë shënuar tendencë rritëse. Sipas të dhënave të marra nga tregu i punësimit të grave në këtë sektor nga agjencitë e ndërmjetësimit, pas periudhës së pandemisë së Covid-19 pagesat për kujdestaret e fëmijëve brenda vendit janë rritur 50 deri në 80%.
Pagesat për dado të punësuara jashtë nisin nga 800, 1,000 e deri në 1,100 euro. Në rrjetet sociale has shumë njoftime për punësim dadoje apo punonjësve për kujdesin e të moshuarave nga familjet emigrante që jetojnë në Zvicër, Gjermani apo Belgjikë.
Kërkesat për punësim për kryerjen e këtyre shërbimeve jashtë Shqipërisë, në shumicën e rasteve përfshijnë si kusht kryesor qëndrimin 24 orë të së punësuarës në shtëpi, duke ofruar akomodim dhe ushqim falas.
Ndërsa pagesat për kujdestarët e të moshuarve, sipas të dhënave të agjencive nisin nga 45 mijë lekë në muaj për të moshuar pa sëmundje bashkëshoqëruese dhe arrijnë deri në 85 mijë lekë në muaj, nëse personi i moshuar është i paralizuar apo ka sëmundje të tjera. Puna me orar të pjesshëm për kujdesin e të moshuarve paguhet deri në 1,500 lekë/ora.
Tregu i punësimit të kujdestarëve, tërësisht informal…
Profesioni i dados në Shqipëri nisi nga nevoja për punësimin e shumë grave të punësuara në ish-ndërmarrjet e sistemit komunist. Pas viteve ’90, periudhë në të cilën transformimi politiko-ekonomik i vendit u shoqërua me shpërbërjen e një sërë ndërmarrjesh ish-shtetërore profesionale, solli që shumë gra të gjendeshin të papuna.
Përpos kësaj, zhvillimi i tregut të sipërmarrjes së lirë, pas rënies së ekonomisë së shtetëzuar forcoi kërkesën e familjeve sipërmarrëse për të pasur në shtëpi guvernante fëmijësh. Koha e punësimit ishte më afatgjatë.
Dadoja nevojitej të jetonte në shtëpi deri sa fëmija të niste shkollimin fillor. Edhe pse në dukje po zhvillohej një model i qëndrueshëm punësimi për këtë profesion, mbizotëronte informaliteti i lartë.
Shpresa Tabaku, tashmë pensioniste, tregon se profesionin e dados e nisi në vitet e para të demokracisë, duke jetuar si e punësuar pranë një familje sipërmarrëse kundrejt pagesës prej 40 mijë lekësh në muaj.
“Pagesa ishte e lartë për kohën, por ishte informale”, pohon ajo. Për shkak të shumë viteve punë të pasiguruara apo punës “në të zezë”, zonja Tabaku sot përfiton një pension në masën 10 mijë lekë.
Më tutje, në vitet 2000, me ndryshimin e stilit të jetesës, familjet e pasura në Shqipëri filluan të punësonin dado të huaja, veçanërisht nga Filipinet, të cilat jetonin në shtëpitë e punëdhënësve. Përveç fëmijëve, të punësuarat kujdeseshin edhe për mbarëvajtjen e shtëpisë.
Që prej vitit 2019, tregu për rekrutimin e kujdestareve të fëmijëve dhe të moshuarve është organizuar me modelin e punësimit nëpërmjet agjencive ndërmjetësuese. Familjet e interesuara mund t’u drejtohen për punësim personeli agjencive të ndërmjetësimit.
Por nga agjencitë garantohet vetëm ndërmjetësimi për punësimin, pasi për këto profesione vijohet të mos firmoset një kontratë pune dhe të punësuarve të mos u paguhen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
Edhe pse kërkesa për dado nga familjet vendase është rritur aktualisht, sipas Albana Ukut, drejtuese e një prej agjencive të ndërmjetësimit, punësimi i tyre nuk është për periudha afatgjata dhe të punësuarat janë pa kontrata pune. Pra punësimi i tyre vijon të mbetet në të zezë.
Erald Pashaj, administrator i EPPC Albania dhe Kosovë, e specializuar në fushën e trajnimit dhe zhvillimit të stafeve, tha se në Shqipëri tregu për punësimin e dadove apo kujdestarëve të të moshuarve është tërësisht informal, edhe për shkak të legjislacionit.
“Një familje që punëson për këtë lloj shërbimi e ka të pamundur të sigurojë punonjësin, pasi nevojitet të funksionojë si biznes, i regjistruar me NIPT.
Të vetmit që arrijnë të sigurojnë këta të punësuar janë familjet sipërmarrëse. Nëse një familje sipërmarrëse punëson një kujdestar, e regjistron si të punësuar nëpërmjet biznesit të tij. Numri i tyre është shumë i pakët.
Për rrjedhojë, jo vetëm tregu i punësimit të dadove dhe të kujdestarëve të familjes, por edhe të punësimit të shoferëve në familje janë punësime të paformalizuara, janë informale.
Legjislacioni mundëson formalizimin e të punësuarve vetëm nëse tregu zhvillohet nëpërmjet agjencive të mirëfillta të punësimit që kanë detyrimin e lidhjes së kontratës së punës dhe pagesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Në vend nuk ekzistojnë agjenci të mirëfillta punësimi për këto lloje shërbimi, nëpërmjet të cilave të mundësohet kontrata e punës dhe pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ndërsa agjencitë e ndërmjetësimit nuk mund ta formalizojnë këtë treg punës, pasi objekt veprimtarie kanë ndërmjetësimin”.
Edhe ekonomistja Romina Radoshniqi tha se ky treg pune operon në Shqipëri në informalitet, ku punonjësit përballen me pasiguri në punë dhe paga të ulëta.
“Tregu është informal dhe i parregulluar. Të dyja palët, edhe punëdhënësi edhe punëmarrësi, janë të pambrojtura dhe të rrezikuara (duke qenë se mungon një kontratë pune). Formalizimi i këtij tregu pune është i vështirë, sepse organet përgjegjëse e kanë të vështirë ta gjurmojnë.
Agjencitë ofrojnë më shumë siguri për shërbimin që i ofrojnë klientit, punonjësit janë të mbrojtur me një kontratë pune, duke qenë së është një treg në zhvillim dhe pagat janë të larta.
Megjithatë, përveç sfidave që përballen dadot dhe kujdestarët e moshës së tretë mund të themi që kanë pasur efekte pozitive te financat familjare, pasi të punësuarat janë kryesisht gra të cilat nuk kanë shumë mundësi punësimi”.
Sociologu Gëzim Tushi, thekson gjithashtu se ky treg (dadove apo kujdestarëve) duhet rregulluar dhe sidomos është urgjente kontrolli i aftësive dhe disponimit, për të ofruar shërbime për të moshuarit nëpërmjet një procesi të monitorimit të aftësive dhe njohjes së standardeve specifike për këtë moshë./MONITOR