Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka komentuar arrestimin e kreut të PL Ilir Meta. I ftuar në emisionin Open në News 24, Bardhi tha se forma e arrestimit ishte politik. Ai tha se edhe eurodeputetët ishin të shokuar nga forma e arrestimit të Metës, pasi kishin parë videon e prangosjes. Bardhi theksoi se nuk flet tani dot për dosjen, pasi nuk e ka parë me detaje atë.
“Nuk e njoh dosjen. I vetmi koment që mund të bëj është se më ka lënë shije tepër të hidhur mënyra e ekzekutimit të gjykatës. Arrestimi i ish-presidentit nuk ishte jo vetëm procedurial. Ajo formë arrestimi ishte politik. Për përmbajtjen e dosjes nuk flas dot, sepse nuk njoh dosjen. Eurodeputetët ishin të shokuar nga forma sesi Meta ishte arrestuar,” tha Bardhi.