Përleshje masive në Prishtinë – plagoset një person si dhe lëndohen tre të tjerë nga mjetet e forta, arrestohen 13 të dyshuar

Një person është plagosur nga arma e zjarrit dhe tre të tjerë kanë marrë lëndime të rënda trupore nga mjetet e forta sot rreth orës 01:20 në rrugën “Lidhja e Pejës”, në Prishtinë.  

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas saj, menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

“Sot rreth orës 01:20, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën ‘Lidhja e Pejës’ në Prishtinë.

Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Bazuar në informacionet e deritanishme raportohet për katër persona të lënduar, njëri prej të cilëve  dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime gjatë përleshjes ku dyshohet të jenë përdorë mjete të forta”, ka thënë Ahmeti.

Ajo po ashtu theksoi se janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje 13 persona të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rast që është cilësuar si vrasje në tentativë.

“Deri tani nga ana e policisë  janë identifikuar, arrestuar dhe dërguar në mbajtje 13 persona të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rast që është cilësuar si vrasje në tentativë”, ka thënë ndër të tjera Ahmeti.


Shtuar 23.10.2024 13:26