Plazhi vazhdon edhe në shtator/ Flet sinoptikania Anira Gjoni: Temperaturat do vijojnë të qëndrojnë të larta

Edhe pse sezoni veror ka përfunduar, plazhi duhet të vijojë edhe gjatë shtatorit. Kjo pasi sinoptikania Anira Gjoni nga IGJEUM, thotë se temperaturat janë të favorshme për plazh, ndërsa ditët me diell do të vijojnë përgjatë gjithë këtij muaji.

Në një intervistë për “Ora News”, Gjoni u shpreh se temperaturat shumë të nxehta me të cilat jemi përballur gjatë kësaj vere sigurisht që kanë ikur.

“Por presim që edhe muaji shtator të jetë i ngrohtë, jo me temperaturat e korrikut dhe gushtit. Sa i përket kësaj jave, temperaturat do vijojnë të qëndrojnë në vlerat e 30 gradëve.
Pra kemi një rënie të vlerave të temperaturave, por sërish ato do jenë të ngrohta. Për pjesën e dytë të muajit presim një rënie të tyre me 2 apo 3 gradë”, theksoi Anira Gjoni.

Temperaturat mjaft favorizuese, qetësia, pastërtia, çmimet më të ulëta se sa në sezonin turistik, por dhe hapësirat më të shumta publike, janë disa nga arsyet që pushuesit zgjedhin që disa nga ditët e pushimit t’i bëjnë pikërisht në bregdetin e Shëngjinit edhe gjatë muajt shtator.


Shtuar 3.09.2024 09:55