Iu bë atentat në Berat, kush është Altin Halili i dënuar për vrasjen në ’97-ën

Altin Halili i shpëtoi mrekullisht atentatit, pasi mjeti i tij u qëllua me breshëri plumbash teksa ishte në lëvizje në Berat.

Mjeti i tij u qëllua me breshëri plumbash, ndërsa më pas autorët u larguan dhe për të zhdukur gjurmët mjetin me të cilin kryen atentatin e dogjën në fshatin Kozare.

Mirëpo Altin Halili që i shpëtoi është një emër i njohur për policinë pasi ka qenë i dënuar për vrasje. Ai është autori i vrasjes së Sokol Kaloshit ngjarje e shënuar në vitin 1997 në Rremas të Lushnjës. Për këtë krim Halili u dënua me 15 vite burg dhe u la i lirë në vitin 2010.

Nuk dihet ende shkaku që iu bë atentat Halilit dhe as autorët, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 16.10, në rrugën e fshatit Dushnik, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi A. H, 46 vjeç, banues në Berat, person me precedent të mëparshëm kriminal. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, Forcat Operacionale dhe ato Shqiponja të DVP Berat dhe drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.

Njëkohësisht është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë i cili ndodhet në vendngjarje.

Gjithashtu në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve dhe gjatë kontrollit të zonës në fshatin Kozare kanë gjetur një automjet që po digjej që dyshohet se mund të jetë i autorëve.

Nga veprimet e shpejta dyshohet se autorët janë nga qarku Fier dhe për këtë janë angazhuar në veprimeve operacionale dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Komisariateve në varësi të saj.

Për arsye hetime nuk jepen të dhëna të tjera.

Vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale nën drejtimin e Prokurorisë për të bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.


Shtuar 26.08.2024 19:38