Berisha: Rama me mafian e tij, eksporton çdo vit qindra kontejner, helme, toksina për tu pasuruar në mënyrë të paligjshme

Kryetari i PD-së, Sali Berisha në fjalën e tij u shpreh se Rama me mafian e tij, eksporton çdo vit qindra kontejner, helme, toksina për tu pasuruar në mënyrë të paligjshme

Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, qëndrestare dhe qendrestarë, luftëtarë të vërtetë një kauze të çdo qytetari të ndershëm shqiptar, kauzës së kombit shqiptar dhe Shqipërisë.
Shpreh mirënjohjen time të pakufishme për qëndresën tuaj të pamposhtur.

Përshëndes me përzemërsi oratorët e këtij parlamenti të lirisë, që përcjellin tek qytetarët shqiptarë, të vërtetat e mëdha që regjimi i Edi Ramës përpiqet ti mbulojë me vellon e zezë të propagandës së tij, me zhurmën e madhe të mashtrimit dhe trillimit të medieve që ai kontrollon.

Të dashur qytetar dhe qytetare.

Zhvillimet më të fundit dëshmojnë lojën tmerrësisht të rrezikshme që Edi Rama, ministrat e tij, mafia e tyre bën në kurriz të shëndetit dhe jetës së shqiptarëve.

Në një kohë kur anekënd botës, mediat, organizatat më prestigjioze ushtojnë nga lajmet se nga Shqipëria janë nisur helme të rrezikshme drejt Tajlandës, Edi Rama heshti si fija e barit gjer sot.

Ai më parë mohoi se ministrja e tij e Mjedisit ka dhënë autorizim për eksportin e mbetjeve të rrezikshme, kurse dogana e tij pohoi se kemi shkelur ligjin, se ka ndryshuar kodin duke u dhënë kodin e lëndëve jo helmuese, lëndëve helmuese.

Kurse sot pasi i dolën të gjitha mashtrimet njëri pas tjetrit, sot ai nëpërmjet dy zëdhënësve të tij kërkon të lajë duart, por në fakt ai pohon se, qëndron vetë prapa trafikut mafioz të lëndëve toksike, kërcënuese.

Sot në reagimin e tij nëpërmjet dy zëdhënësve, imagjinoni ju besueshmërinë e lubi Ballukut dhe Mirela Kumbaros. Me dy dëshmitarë të rremë, Rama rreket të lajë duart me këtë krim të madh, kombëtar dhe ndërkombëtar.

Së pari dua përsëri të theksoj se çdo vend në përputhje me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, mund të eksportojë prodhimet e tij, të çdo lloji me kushtin e vetëm që ky eksport të ketë çdo dokument zyrtar që nevojitet dhe të bëhet në kushte të plota transparence.

Ç’nënkupton kjo?

Ligji i vendit, ligji ynë që është edhe sot në fuqi, përcakton se autorizimin për eksportin e mbetjeve, qofshin ato toksike apo jo toksike, lëshohet vetëm në përputhje me ligjin dhe akte të tjera në fuqi.

Ministri jep autorizimin për eksportin e mbetjeve, personit që ka paraqitur kërkesën vetëm pasi të ketë marrë leje nga vendi i importit dhe vendet e kalimit transit dhe vetëm pasi të ketë njoftuar ato paraprakisht.

O trafikant që nuk ke as nder as moral, por mashtron nga mëngjesi në darkë shqiptarët; sa është zbatuar ligji, neni 51 i ligjit për mbetjet. Ku i ke, ku janë lejet e transitit brenda dhe jashtë vendit të këtyre mbetjeve të rrezikshme.

Ku i ke vërtetimet se vendi që i pret, se vendi i destinacionit i pret këto mbetje. Asnjë, një mashtrues që as nuk skuqesh as nuk zverdhesh sepse mafiozi nuk ka ligj e mora, ka vetëm përfitime.

Ku e ke lejen nga Tajlanda për të eksportuar mbetjet e rrezikshme në Tajlandë. Pse Tajlanda ktheu mbetjet që ke dërguar atje. Sepse çdo gjë është trafik i paligjshëm. Sepse Gazheli yt ndryshon kode dhe vetëm e vetëm me urdhrin tënd e të asnjë njeriu mbi tokë.

Tani do të na thoni se, pa të shohim se do ti pranojmë apo nuk do ti pranojmë.

Çdo marrëveshje me mafian që mund ti bëni ju, për ti mbytur në det ato, do të denoncohet me forcën më të madhe, dhe do të përgjigjesh para ligjit. Natyrisht këtu të mbron mercenar Dumani, por ligji ndërkombëtar nuk të fal ty.

Je përpjekur o mashtrues, trafikant i pangopur, i papërmbajtur, të mbrohesh me kontenierët, me mineralet, me metalet që eksporton Kosova.

Janë krejt tjetër, janë qindra kontejner, zink, plumb, polimetale, lëndë të tjera, të cilat njëlloj si kromi i Shqipërisë, njëlloj si nikeli i Shqipërisë, eksportohen në përputhje me çdo rregull dhe ato vetëm nëse ti për të bërë pis Kosovën si veten tënde, ua ke ndërruar siç ke ndërruar kodet, kë ndërruar dhe vendin e eksportit dhe ke vendosur Kosovën.

Dhe kjo do të dalë nëse e ke bërë dhe dënimi i dyfishtë të përket ty.

Miqtë e mi!

U deshën tre javë që të flasë Edi Rama, të përpiqet të mashtrojë.

Na e nxirr pak, ku e ke autorizimin e eksportit të mbetjeve të cilat nuk mund të eksportohen kurrë pa autorizim të ministrit.

Lexo ligjin; eksporti i mbetjeve nga Republika e Shqipërisë, i mbetjeve, pra i të gjitha llojeve, lejohet vetëm me autorizim të lëshuar nga ministri.

Ku e ke? Nxirre.

Pika 4 e nenit thotë; autorizimi i eksportit të mbetjeve është i vlefshëm vetëm për 1 vit, dhe i nënshtrohet kushteve të përgjithshme të përshkruara në rregullore dhe pikën 6 të këtij neni, si dhe kushteve specifike në rast konkret.

Në autorizimin e eksportit të mbetjeve përcaktohet numri i dorëzimit, lloji dhe sasia e mbetjeve për të cilat lëshohet autorizimi, standardet të cilat lidhen me ambalazhimin, etiketimin e mbetjeve dhe dokumentet shoqëruese gjatë transportit të tyre.

Autorizimi përmban kërkesat për monitorimin dhe raportimin e transfertave të mbetjeve.

Pra, asnjë nga këto nuk ekziston sepse është trafik i mirëfilltë i yti. Njeri që nuk ngurron të angazhohesh në çdo veprimtari ilegale. Të rrezikosh jetën e qytetarëve, të shkelmosh reputacionin e Shqipërisë, vetëm e vetëm që të pasurohesh ditë e natë, duke i bërë keq çdo shqiptari, duke vjedhur çdo shqiptar, duke vjedhur e rrënuar Shqipërinë.

Miqtë e mi!
Në reagimin e tij të len me kuptu se për të mos ardhur këtu në Durrës dhe për të mos u ngritur Shqipëria në këmbë kundër tij, po përpiqet të gjejë shpella mafioze për ti depozituar mbetjet.

Edi Rama kudo që ti çosh, parlamenti i Shqipërisë do ti hetojë ato.
Nuk ke shpëtim.

Krimi yt është krim i shëmtuar mjedisor, shëndetësor, është trafik i rrezikshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Mos u përpiq të fshihesh pas eksporteve të Kosovës, se Kosova eksporton çdo vit qindra e qindra kontejner.
Shqipëria eksporton çdo vit, qindra e qindra kontejner minerale.

Kurse Edi Rama me mafian e tij, eksporton çdo vit qindra kontejner, helme, toksina për tu pasuruar në mënyrë të paligjshme.
Të dashur miq!

Këto zhvillime dëshmojnë rëndësinë jetike që ka për Shqipërinë qëndresa juaj.
Rëndësinë vendimtare që ka për Shqipërinë guximi juaj, ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë këtë betejë gjer në krijimin e qeverisë teknike, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe fitoren e opozitës.

Me Edi Ramën vetëm krime na presin, vetëm rrënime, vetëm shkatërrime të vendit.
Edhe njëherë mirënjohje të pakufishme.
Fitore, fitore, fitore!


Shtuar 24.08.2024 21:17