Bulqiza në flakë/ Situata del jashtë kontrollit në kurorën e Liqenit të Zi, kërkohet ndërhyrje nga ajri

Zjarri në masivin pyjor me pishë, ah e bredh në kurorën e gjelbër në Zerqan të Bulqizës, ka dalë jashtë kontrollit.

Me gjithë ndërhyrjen e bërë nga toka për 7 ditë radhazi, ka qenë e pamundur që flakët të shuhen plotësisht dhe këtë të premte janë shfaqur disa vatra zjarri, të cilat të ndihmuara nga era e fortë e bëjnë të pamundur fikjen e tyre.

Nënprefekti i Bulqizës, Avni Muliu, tha se forcat e Njësisë Operacionale për shuarjen e zjarreve, kanë punuar për një javë por ka qenë e pamundur fikja plotësisht, për shkak të terrenit të vështirë dhe pemëve të mëdha.

Muliu tha se zjarri mund të jetë i qëllimshëm dhe kërkon që të gjendet autori. Nga ana tjetër, ai shprehet se vetëm ndërhyrja nga ajri e ndalon dëmin e madh në këtë zonë, e cila është e vetmja e paprekur në Bulqizë.

Zjarri në malin e Tërnovës në Bulqizë, ka djegur dhe përshkuar disa hektar pyll me pemë shekullore.

 


Shtuar 9.08.2024 10:35