U largua nga Grupi i PD, deputetja Flutura Açka tregon arsyen e këtij vendimi

Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, është larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.

Komentet Açka i bëri në një lidhje për një emision televiziv, ku tha se kanë qenë disa faktorë që e kanë çuar atë drejt marrjes së këtij vendimi.

Açka tha se largimi i saj nga PD erdhi pasi ajo kuptoi se nuk ka shanse më që opozita të reformohet, marrë shkas edhe nga mbyllja sipas saj e listave zgjedhore.

“Në fakt ka qenë një mendim i menduar gjatë, i pjekur. Ndoshta zhvillimet e mbrëmshme në Komisionin e Ligjeve. E gjithë ajo çfarë ndodhi, mënyra brutale e mbylljes së listave.

Premisat tona për të hapur pak Parlamentin, për të hapur mundësinë e zgjedhjes, për t’i dhënë shanc shqiptarëve, ai vendimi i djeshëm në Komisionin e Ligjeve më bëri të kuptojë që nuk ka shance të reformohet kjo opozitë. Unë nuk mund të bëj sikur vetëm se duhet të jem në listën e deputetëve të vitit 2025. Kjo bëri që unë të merrja vendim për ndarjen politike nga grupi parlamentar, por jo nga opozita.

Do të mbetem opozitare, por tani në një pozicion tjetër nuk ka më luftëra dhe beteja mes nesh që e kanë shpartalluar opozitën, por tani kam vetëm një kundërshtar dhe ai është kundërshtari jonë politik që kam përballë”, tha Açka.


Shtuar 25.07.2024 17:18