Morën peng, e nxorën live në Tik Tok dhe ngacmuan seksualisht 17-vjeçarin/ Bien në pranga dy të rinj në Lezhë

Një 17-vjeçar është marrë peng nga dy persona në Lezhë.

Pas kallëzimit të të miturit, A. Gj., 19 vjeç, dhe A. Ll., 19 vjeç, të dy banues në fshatin Malsi ranë në pranga.

Sipas policisë, më datë 21.07.2022, rreth orës 22:30, është marrë në automjet pa dëshirën e tij nga këta dy shtetas dhe është çuar në drejtim të fshatit Kolsh-Malsi, Njësia Administrative Kolsh, Bashkia Lezhë.

Pasi kanë ndaluar automjetin, këta dy shtetas e kanë shantazhuar 17-vjeçarin me video duke e nxjerrë “Live” në rrjetin social “TikTok” dhe duke e detyruar të përdorë fjalë fyese në video, veprime këto të cilat janë shoqëruar me dhunë fizike ndaj 17-vjeçarit, si dhe e kanë ngacmuar seksualisht.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të arrestuar A. Gj. dhe A. Ll. do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Kanosja” dhe “Ngacmimi seksual”.


Shtuar 22.07.2024 20:03