Kampionati Evropian U-19 për vajza që po zhvillohet në Lituani ka mbërritur në momenti kulminant, ku të mërkurën do të zbulohen dhe dy ekipet që do të shkojnë në finalen e madhe.
Angli – Spanjë dhe Holandë – Francë janë dy gjysmëfinalet e Kampionatit Evropian U-19 për vajza, teksa UEFA ka përcaktuar edhe arbitrat e ndeshjes për dy superfida.
Drejtësi në takimin Holandë – Francë do të vendosë arbitrja shqiptare Emanuela Rusta. Asistentet e saj do të jenë Fie Bruun dhe Giulia Tempestilli. Në rolin e arbitres së katërt është emëruar Silvia Gasperotti, ndërsa Marta Frias Acedo do t’i vijë në ndihmë arbitres kryesor Emanuela Rusta nga dhoma e VAR-it.
Arbitrja shqiptare Emanuela Rusta ka gjykuar disa ndeshje në arenën evropiane ku vlen për t’u veçuar takimi SL Benfica W – Barcelona W, në UEFA Women’s Champions League si edhe ndeshja Zvicër – Hungari, e vlefshme për Kampionatin Evropian për vajza.
Ndërsa të mërkurën për herë të parë do të vendosë drejtësi në një sfidë gjysmëfinale ku do të përcaktohet se kush ekip Holanda apo Franca do të kalojë në finalen e madhe të Kampionatin Evropian U-19 për vajza.
Gjysmëfinalja Holandë – Francë e vlefshme për Kampionatin Evropian U-19 për vajza do të luhet të mërkurën më datë 24 korrik, në ora 17:00, në stadiumin “Darius & Girenas Stadium” në Lituani.