Është arrestuar në kryeqytetin Lisbonë të Portugalisë, Arben Kaçori vëllai i Valentin Kaçorit, njëherësh dhe kunati i biznesmenit të lojrave të fatit, tashmë i zhdukur prej dy vitesh, Ervis Martinaj.
Së bashku me Kaçorin është arrestuar dhe një lider i mafias marokene, i quajtur Icaro Leddy Gouveia.
Arrestimi i tij është kryer qysh në datën 3 Korrik, por lajmi në mediat Portugeze është publikuar në datën 11 korrik.
Ndalimi i Kaçorit ka ndodhur në një kompleks luksoz banimi.
Në këtë aksion kanë marë pjesë dhjetëra agjentë të skuadrës antidrogë, duke sjellë arrestimin e Kaçorit dhe disa personave të tjerë të huaj.
Sipas mediave portugeze, Arben Kaçorri, 52-vjeç, është një nga emrat kryesorë të mafies ballkanike dhe jetonte prej 11 vitesh në një pallat luksoz në Parque das Nações, në Lisbonë.
Arben Kaçorri dhe Ícaro Leddy Gouveia, ishin fqinjë në një ndërtesë luksoze në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit portugez.
Policia Portugeze shkatërroi organizatën kriminale që bashkoi mafien ballkanike dhe mafian “Mocro” që ka si përbërje marokenë.
I dënuar në Itali me gati 22 vite burg për vrasjen e Fatmir Kala, Kaçorri kaloi pa u vënë re, duke mos e ndalur asnjëherë veprimtarinë e tij kriminale.
Në të njëjtën ndërtesë, vetëm një kat më lart, jetonte portugez-braziliani Ícaro Leddy Gouveia (i cili gjithashtu ka pasaportë holandeze), 48-vjeç, një operativ i mafias Mocro, i njohur si mafia marokene, por që vepron kryesisht në Holandë.
Së bashku, të dy burrat drejtuan një rrjet kushtuar trafikut ndërkombëtar të drogës, i cili operonte në Portugali dhe Holandë. Dhe gjithçka ishte vendosur dhe koordinuar nga kjo godinë luksoze.
Në një deklaratë për mediat, njësia e antidrogës shpjegoi se operacioni i quajtur “Labyrinth”, u krye njëkohësisht në të dy vendet dhe bëri të mundur çmontimin e infrastrukturës së grupit të krimit të organizuar të akuzuar për trafik droge, pjesëmarrje në një organizatë kriminale, rrëmbim, pengmarrje dhe rrëmbim.
Arben Kaçori dhe Ícaro Leddy Gouveia mbeten sot fqinjë, megjithëse kanë ndryshuar adresën në burgun e sigurisë së lartë Monsanto, në Lisbonë, ku presin zhvillimin e hetimeve në paraburgimin parandalues.
Sipas PJ-së, të arrestuarve u sekuestruan “sasi të mëdha parash, disa automjete të nivelit të lartë, mallra luksi, sisteme komunikimi dhe pajisje të ndryshme kompjuterike”.