Bardhi-Dumanit: Rama të ka nisur mesazh privat, mbyllni shpejt dosjen “Xibraka”? Si përgjigjet kreu i SPAK-ut

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, gjatë raportimit në Kuvend të kreut të SPAK, Altin Dumani,e ka bërë si fakt të kryer se ky i fundit ka marrë një mesazh nga kryeministri Edi Rama, përmes një funksionari publik, ku i ka kërkuar që të mbyllë sa më shpejt çështjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë, ku dyshohet se është i implikuar dhe Olsi Rama, vëllai i kreut të Qeverisë.

Bardhi e pyeti Dumanin se çfarë përgjigje i ka kthyer kryeministrit dhe se sa do të ndikojë ky mesazh në hetimin e kësaj dosje. Kreu i SPAK deklaroi se nuk prononcohet, për shkak se kjo çështje është nën hetim.

Dumani theksoi se marrëdhëniet me Qeverinë dhe Kuvendin i ka vetëm institucionale dhe proceduriale, teksa sipas tij, nuk merr dhe përcjell asnjë lloj mesazhi.

Gazment Bardhi:Rezulton se Kryeministri Edi Rama, përmes një shtetasi funksionar publik, nuk dua t’i përmend emrin por e dimë unë dhe t’i se për kë bëhet fjalë, të ka përcjellë një mesazh duke kërkuar që ‘Çështja Xibraka’, të ‘mbyllet pak shpejt’. Duke vlerësuar integritetin e Drejtuesit të SPAK, dhe duke shmangur komentet tuaja për veprimet e kryeministrit, duhet që të informoni Kuvendin e Shqipërisë, mbi përgjigjen që ju i keni dhënë kryeministrit dhe a jepni ju garanci si drejtues i Prokurorisë që ky mesazh privat i Kryeministrit nuk do të ndikoje në punën tuaj, ashtu siç ligji e kërkon”?

Altin Dumani:Nuk mund të jap asnjë koment se është në hetim. Lidhur me marrëdhënien e kryeministrit apo çdo titullari tjetër marrëdhëniet e mia janë vetëm institucionale dhe proceduriale. Institucionale kur institucionet kanë nevojë të bashkëpunojmë dhe proceduriale kur ndonjëri prej tyre ka nevojë të thirret në cilësinë e deklaruarit, personit që po bëhen hetime, apo në cilësinë e të pandehurit. Nuk marr dhe përcjell asnjë lloj mesazhi. Ushtroj detyrat e mia në përputhje me kushtetutën dhe dispozitat ligjore. Kjo është marrëdhënia ime me të gjithë pa përjashtim”.


Shtuar 15.07.2024 13:30