Sulmi ndaj presidentit Trump, Berisha: Ky është një akt terrorist, një atentat jo vetëm ndaj sigurisë së SHBA, por edhe ndaj vendeve të lira

Lideri i opozitës, Sali Berisha është ndalur te atentati ndaj ish-presidentit të ShBA, Donald Trump.

‘Atentati ndaj presidentit Trump përbën një atentat jo vetëm ndaj sigurisë së SHBA, por edhe ndaj vendeve dhe njerëzve të lirë’, theksoi Berisha gjatë protestës maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen e pakufishme dhe nderimin më të madh për ju, misionarë të vërtetë të shpresës, dinjitetit, kauzës së drejtë të shqiptarëve.

Të dashur miq!

Ajo që ndodhi mbrëmë në Butler të Pensilvanisë është një akt terrorist, është një atentat jo vetëm ndaj Presidentit Donald Trump, por ndaj çdo njeriu të lirë, në çdo vend të lirë.

Në këtë kontekst, çdo njeri që beson tek liria dhe vota e lirë e ka ndjerë veten mbrëmë një me presidentin Donald Trump, sikundër do ta ndjenim një me çdo kandidat presidencial, kryeministër apo president të vendeve të lira, nëse do të tentohej të vritej, siç u tentua në mënyrën më të urryer ndaj presidentit Trump në fushatë elektorale.

Ajo çka ndodhi mbrëmë në Butler, Pensilvani të SHBA, në vendin udhëheqës të sigurisë së vendve të lira, në një kohë ballafaqimesh globale, një ditë pas samitit të NATO-s dhe vetëm dy ditë para konventës republikane në të cilën presidenti Donald Trump do të kurorozëhet si kandidat i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Në një mënyrë apo si një tjetër, përbën një atentat jo vetëm ndaj sigurisë së SHBA, por edhe ndaj vendeve dhe njerëzve të lirë.


Shtuar 14.07.2024 20:29