Ish-futbollisti islandez rrëfen dhimbjen: Funeralin e nënës e ndoqa në YouTube pasi klubi e kërkoi në stërvitje

Ish-futbollisti profesionist islandez Rurik Gislason ka folur për një nga përvojat më të rënda të jetës së tij: u kthye në Gjermani për shkak të detyrimeve ndaj klubit dhe nuk mundi të ishte në varrimin e nënës.

Në emisionin “My Story” të televizionit Sky, 38-vjeçari tregoi se ngjarja ndodhi në prill të vitit 2020, kur nëna e tij, Thora, ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Të lidhura

None found

Gislason shkoi në Islandë për të qëndruar pranë saj. Teksa ishte në shtratin e vdekjes, Thora i kërkoi të mbante arkivolin e saj gjatë daljes nga kisha në ceremoninë mortore. Ai i dha fjalën se do ta bënte, por dy ditë më vonë ajo ndërroi jetë.

Ndërsa po përgatitej për funeralin, ish-klubi i tij SV Sandhausen, ku luante në Bundesliga 2, e telefonoi dhe i kërkoi të kthehej në Gjermani për stërvitje.

“Më pas telefonoi klubi. Më thanë: ‘Duhet të kthehesh në Gjermani për stërvitje. Ti ke kontratë këtu’”, i tregoi Gislason moderatorit Riccardo Basile.

Ish-përfaqësuesi i Islandës tha se pranoi të kthehej, ndër të tjera, sepse kishte frikë nga pasojat e moszbatimit të kërkesës së klubit. Si pasojë, ai nuk mori pjesë në ceremoninë mortore të nënës.

“Në fund, varrimin e nënës e pashë në YouTube, nga shtëpia”.

Media gjermane raportuan se Sandhausen fillimisht i kishte dhënë leje të posaçme për të udhëtuar në Islandë. Megjithatë, kur u kthye në Gjermani, Gislason u përjashtua nga stërvitjet e ekipit.

Kontrata e futbollistit përfundoi në qershor të vitit 2020 dhe nuk u rinovua. Mikayil Kabaca, asokohe drejtor sportiv i klubit, kishte komentuar në mënyrë kritike sezonin e tij.

“Kushdo që ka një sezon si ai i Rurikut, duhet ta analizojë mirë veten”, kishte thënë Kabaca.

Gislason e përfundoi karrierën si futbollist profesionist në nëntor të vitit 2020. Në një intervistë për gazetën Bild, në vitin 2024, ai tregoi se humbja e nënës ishte një nga arsyet që ndikuan në vendimin për t’u tërhequr nga futbolli.


Shtuar më 1.11.2026 22:19