GJKKO rrëzon vendimet e Prokurorisë së Tiranës dhe urdhëron SPAK të hetojë mikrokreditë

Gjykata Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka urdhëruar disa ditë më parë Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) të hetojë bandën e mikrokredive, duke filluar nga Banka e Shqipërisë, bankat e nivelit të dytë, shoqëritë financiare (Iute, Kredo, Fondi Besa, Noa, etj.), duke rrëzuar vendimet e Prokurorisë së Tiranës për të shpëtuar personat e implikuar në skemën e mashtrimit të mijëra qytetarëve shqiptarë.

Në vendimin e para disa ditëve, gjyqtarja Flora Hajredinaj ka urdhëruar SPAK-un të fillojë hetimet nga fillimi lidhur me çështjen e institucioneve që japin kredira të këqija dhe rolin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Ajo i ka caktuar SPAK-ut shumë detyra hulumtuese dhe afate për të ndërmarrë veprime hetimore.

Gjyqtarja Hajredinaj gjithashtu ka vendosur të shpallë të pavlefshëm vendimin e pushimit të Prokurorisë së Tiranës dhe ka urdhëruar Prokurorinë e Posaçme që të vazhdojë hetimet lidhur me këtë çështje.

Sipas mediave, guvernatori Gent Sejko u kallëzua në vitin 2022 në Prokurorinë e Tiranës për “abuzim të detyrës” nga Dhoma e Përmbaruesve Privatë, për krijimin e skemave të mashtrimit me mikrokredi. Por pas dy viteve hetim, në fund të janarit të këtij viti u kërkua pushimi i tij nga prokurorja Ornela Rrumbullaku.

Sipas pretendimeve të përmbarimit, gjyqtarja ka vendosur të dërgojë çështjen për vlerësim dhe kompetencë në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion.

Gjykata e Posaçme, në seancën e së mërkurës, ka vendosur të shpallë të pavlefshëm pushimin dhe të urdhërojë dërgimin e dokumentacionit në SPAK për hetim.

Tani guvernatori Gent Sejko po përballet me dy procedura penale paralele në SPAK, njërin të dërguar nga prokurori i Tiranës Leonard Filopati disa javë më parë me akuzën e moskompetencës, dhe tjetrin që lidhet me vendimin e gjyqtares Flora Hajredinaj.

Cështja e kompanive të mikrokredive është kthyer në një problem madhor, pasi duket dukshëm që shoqëritë financiare Iute, Kredo, Fondi Besa, Noa, MCA-Final, etj. dhe bankat e nivelit të dytë, të ndihmuara nga Banka e Shqipërisë, janë tē implikuar në skemën e mashtrimit të mijëra qytetarëve shqiptarë.

Si pasojë e këtyre skemve, me 2 korrik, Pal Trashaj, të cilit iu është marrë pasuria nga përmbaruesit që punojnë për kompanitë e mikrokredive, piu helmin përpara ambienteve të SPAK, duke ndërruar jetë një ditë më pas.

63-vjeçari, i cili njihet si historian në qytetin e tij, prej vitesh ka denoncuar kalvarin me kredinë e marrë që më pas ndër vite u shumëfishua deri në bllokimin e pasurisë.

Sipas të dhënave, Pal Trashaj kishte një kredi të mbetur që nga viti 2008, në vlerën e 76 mijë lekëve. Kredinë e Pal Trashajt e kishte blerë MCA, e cila kërkonte 4.8 milionë lekë, duke bllokuar për 5 vjet gjithçka: shtëpinë, tokën, makinën dhe pagën ku punonte. Trashaj kërkonte që SPAK të merrte përsipër çështjen e grabitjes së pronës së tij nga përmbarues, për të cilët më herët kishte bërë një padi civile në Gjykatën e Lezhës.

Ai pretendonte se kredinë e kishte shlyer dhe se veprimet e kryera për sekuestrimin e pronës së tij ishin të paligjshme. Pal Trashaj është një nga viktimat e shumta të mikrokredive, por dosja e tij nuk është objekt i hetimeve të SPAK. /albeu.com/