Tabela/ OECD: Shqipëria, vendi me peshën më të lartë të banesave bosh në glob

Shpopullimi i vendit për shkak të emigrimit masiv, por edhe zgjerimi agresiv i ndërtimit e kanë ngjitur Shqipërinë në majën e botës për një tregues problematik. Atë të banesave bosh.

Kapitali ka kryqëzuar të dhënat e publikuara të dhënat e publikuara një muaj më parë nga OECD me ato të shpallura nga Censusi i popullsisë dhe banesave të INSTAT. Sipas tyre rezulton se Shqipëria është sot vendi me përqindjen më të madhe të banesave bosh në glob.

Por si arriti Shqipëria në këtë pikë? Të dhënat historike të INSTAT tregojnë se pesha e banesave bosh ka ardhur në rritje që nga viti 2001. Por rritja duket se është përshpejtuar në dekadën e fundit, teksa vendi përballet me valët e reja të emigracionit masiv, ndërsa ndërtimi rritet me ritme të frikshme.

Në Censusin e vitit 2001, pesha e banesave të pabanuara në Shqipëri ishte sipas INSTAT vetëm 11.3 për qind e totalit. Në vitin 2011 shifra u rrit në 21.7 për qind, ndërsa në Censusin e fundit të vitit 2023, pjesa e banesave bosh arriti në 32.9 për qind. Kjo do të thotë se aktualisht në Shqipëri ka 356 mijë banesa të pabanuara.

Fillimisht pesha e madhe e banesave të pabanuara i është atribuar emigracionit jashtë, por edhe migrimit të brendshëm, pra zhvendosjes së popullsisë nga fshati në qytet. Por të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se këto nuk janë më arsyet e vetme. Sipas INSTAT, pesha më e madhe e banesave bosh gjendet në pallate dhe nuk janë banesa individuale të braktisura në fshat.

Sipas INSTAT, aktualisht 40 për qind e apartamenteve në pallate janë bosh, të pabanuara. Kjo i korrespondon një shifre prej gati 180 mijë apartamenteve të pabanuara. Pra tashmë, problemi nuk është tek zhvendosja e popullsisë nga fshati në qytet, por zbrasja e apartamenteve në qytete.

Tregu i ndërtimit në Shqipëri paraqet një situatë me shumë paradokse. Pavarësisht stokut të madh të banesave bosh, që e ka nxjerrë Shqipërinë kampionen e botës në këtë tregues, sektori i ndërtimit vazhdon të zgjerohet me ritme të frikshme, veçanërisht në Tiranë, por edhe zonat bregdetare. Teksa 40 për qind e pallateve janë bosh, në Tiranë vazhdojnë të ngrihen kullat shumëkatëshe, të cilat garojnë me njëra tjetrën se cila ngjitet me lartë.

Dhe pavarësisht këtij bumi në ofertë, çmimet vazhdojnë të rriten me ritme të pandalshme. Për shumë ekspertë këto paradokse shpjegohen nga faktorë të tjerë përtej atyre legjitimë. Sipas tyre, tregu i ndërtimit riciklon dhe ushqehet nga paratë që vijnë nga burime të paligjshme, si trafiku i drogës, por edhe korrupsioni galopant. Kohët e fundit ky fenomen ka filluar të shqetësojë edhe vendet partnere, të cilat po e njësojnë bumin e ndërtimit në Shqipëri gjithmonë e më shumë me paratë e trafiqeve.

Një pjesë e stokut të pabanuar të banesave mund të shpjegohet edhe me blerjet e të huajve apo qytetarëve, të cilët e shohin ndërtimin si një mundësi investimi. Por pesha kaq e madhe e shtëpive bosh e çon Shqipërinë në një zonë rreziku. Aq më tepër që tangoja e ndërtimit vazhdon. Stoku i banesave pritet të rritet edhe më shumë gjatë viteve në vijim, teksa autoritetet kanë aprovuar miliona metra katrore leje ndërtimi dhe vazhdojnë të miratojnë me të njëjtin intensitet./KAPITALI


Shtuar 29.06.2024 12:45