Erisa Xhixho: Gjatë vitit 2023, numri i nxënësve u ul me 5,2 %, është vrarë çdo shpresë dhe të rinjtë po ikin

Përmes një deklarate për mediat, zv.presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, ka folur rreth gjendjes së arsimit, shkollave dhe studentëve.

Xhixho tha se të dhënat e fundit nga Instituti i Statistikave, tregojnë se në vitin 2023 mbyllën arsimin e mesëm gati 2500 nxënës më pak se vitin paraardhës, një ulje prej 5,2 %, krahasuar me vitin shkollor  2021-2022.

Gjithashtu, Xhixho thekson se Shqipëria po i humbet me shpejtësi të rinjtë, për shkak të keqqeverisjes që kaq vrarë shpresën.

Çdo vit, numri i nxënësve e studentëve sa vjen  e tkurret, u shpreh Xhixho.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë. Shqipëria po i humbet me shpejtësi të rinjtë për shkak të keqqeverisjes që kaq vrarë shpresën. Çdo vit, numri i nxënësve e studentëve sa vjen  e tkurret.

Të dhënat e fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se në vitin 2023 mbyllën arsimin e mesëm gati 2500 nxënës më pak se vitin paraardhës, një ulje prej 5,2 %, krahasuar me vitin shkollor  2021-2022.

Politikat e dështuara arsimore dhe një axhendë e qartë e qeverisë për shpopullimin e vendit po i kthen institucionet e dijes në ngrehina boshe. Po humbasim nxënësit, po humbasim mësuesit, po humbasim shkollat dhe universitetet. E gjithë kjo sepse para së gjithash shqiptarët kanë humbur shpresën.

Nga viti 2017 deri në vitin 2022 në të gjithë vendin janë mbyllur 202 shkolla publike, sipas të dhënave të vetë Ministrisë së Arsimit.

Do të mjaftonte vetëm kaq për të ngritur alarmin e shkretimit të qyteteve të vogla e fshatrave të tëra, por kjo qeveri e propagandës zgjedh ta mbulojë dështimin me numrin e turistëve. Sa më shumë e zgjedhin të huajt Shqipërinë për ta vizituar, aq më pak e zgjedhin shqiptarët për të jetuar.

Në vend që të hartojë politika që synojnë rivitalizimin e zonave të shpopulluara, qeveria ua vështirëson jetën edhe atyre pak qytetarëve që pamundësia ekonomike i mban lidhur në një vend që shumica e kanë braktisur.

Me një VKM. të datës 1 mars 2023, qeveria u ka hequr të drejtën e transportit për në shkollë qindra nxënësve që mësojnë në shkollat larg banesave të tyre. Heqja e pagesës mujore të transportit e ka bërë akoma më të vështirë aksesin në dije, që shteti ka detyrimin ta garantojë falas për çdo fëmijë të këtij vendi. Prindërit e tyre janë të detyruar të zgjedhin mes pagesës për transportin ose heqjes së fëmijëve nga shkolla.

Zbrazja e shkollave dhe universiteteve nga nxënës e studentë ka prodhuar tashmë pasojat e para edhe në stafin pedagogjik. 54 mijë studentë kemi humbur që nga viti 2013. Kjo hemorragji dramatike e të rinjve rrezikon ta lërë vendin pa profesionistë të fushave të ndryshme, por para së gjithash po e lë pa mësues.

Në të gjithë vendin ka 222 vende vakante për mësues matematike dhe mësues të gjuhës dhe letërsisë, dy lëndët bazë në arsimin parauniversitar. Pagat e ulëta nuk i inkurajojnë të rinjtë të ndjekin degët e mësuesisë, të cilat po mbyllen me një ritëm të frikshëm.

Nevoja për rivitalizimin e stafeve pedagogjike është më emergjente se asnjëherë tjetër. 47.5% e mësuesve zotërojnë njohuri të pamjaftueshme për çështje që lidhen me mësimdhënien, 94% e trupës mësimore nuk kanë aftësi digjitale.

Në kushtet e këtij dështimi, Partia e Lirisë e ka vënë arsimin në qendër të njërit prej 5 prioriteteve për Shqipërinë.

Plani ynë parashikon para së gjithash një analizë të thellë të sistemit, për të ndarë sipas nevojave akute të arsimit buxhetin, i cili do të jetë sa 5% e GDP-së, njësoj si vendet e BE-së. Ne kemi bindjen se pa investuar fort në të, arsimi nuk mund të ringrihet dhe pa të nuk mund të ringrihet as Shqipëria.

Ne do të bëjmë një reformim të thellë të kurrikulave shkollore, nga grupe ekspertësh jashtë çdo pazari apo përfitimi në kurriz të cilësisë së teksteve.

Do të vëmë mësuesin në qendër të reformës, duke dyfishuar pagat e tyre e duke i mbështetur me bonuse, sipas modelit të vendeve nordike.

Plani ynë parashikon rritjen e pagave për pedagogët dhe stafet universitare, depolitizim të arsimit, shmangie nga çdo ndikim politik, strategji afatgjatë e të gjithë pranuar në interesin më të madh të vendit.

Ne duhet të investojmë në arsim, për ta kthyer atë në arenë ku edukohen dhe përgatiten qytetarë të angazhuar, me njohuri të plota mbi shtetin ligjor, demokracinë, të drejtën për referendum, dhe gjithashtu ne duhet ta bëjmë shkollën institucionin që formon qytetarë që mendojnë në mënyrë kritike, që janë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre, dhe i mbrojnë ato me çdo mjet demokratik përballë padrejtësisë.

E ardhmja e vendit garantohet vetëm përmes arsimimit cilësor, dhe duhet ta bëjmë të mundur sa më shpejt!

 


Shtuar 31.05.2024 13:22