Blinken: Armët amerikane po ndihmojnë në stabilizimin e vijës së frontit të Ukrainës

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën se armët amerikane që po dërgohen në Kiev po ndihmojnë në stabilizimin e frontit në Ukrainë mes sulmeve të intensifikuara ruse.

Ai shtoi se Uashingtoni do ta “përshtasë” në vazhdim mbështetjen e tij.

Komentet diplomati i lartë amerikan i bëri gjatë një vizite në kryeqytetin moldav Kishinau, për bisedime me presidenten pro-perëndimore, Maia Sandu.

Kjo është ndalesa e tij e parë, e një turneu të shkurtër në Evropë, që synon të forcojë mbështetjen për Kievin mes vendeve aleate të NATO-s, si dhe ato fqinje.

Vizita vjen ndërsa presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar mbi rrezikun e një konflikti global nëse Perëndimi lejon Ukrainën, të përdorë armët perëndimore për të goditur brenda Rusisë.

Kievi po u kërkon partnerëve të tij, që ta lejojnë ta bëjë një gjë të tillë.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë më parë se i kanë kërkuar Kievit që të mos përdorë armë amerikane për sulme të drejtpërdrejta ndaj Rusisë.

Gjatë konferencës për shtypin, kur u pyet mbi qëndrimin aktual të Uashingtonit mbi këtë çështje, zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara do ta “përshtasin” qëndrimin e tyre.

“Gjatë këtyre më shumë se dy vjetëve, ndërsa natyra e fushëbetejës ka ndryshuar, vendndodhjet, apo mjetet që Rusia po përdor kanë ndryshuar edhe ne jemi përshtatur me këtë situatë.

Kjo është pikërisht ajo që do të bëjmë në vazhdim”, tha ai.

Këtë javë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, u bëri thirrje anëtarëve të aleancës ushtarake perëndimore që të heqin kufizimet ndaj Ukrainës për përdorimin e armëve të tyre, duke i mundësuar Kievit të godasë “objektiva legjitime ushtarake” brenda Rusisë.

Shtetet e Bashkuara janë furnizuesi më i madh i Kievit me armatime. Uashingtoni miratoi një paketë ndihme prej 61 miliardë dollarësh në muajin prill, pas një vonese disa mujore, që përkeqësoi më tej mungesën e predha për artilerinë e Ukrainës.

Zoti Blinken tha se furnizimet me armë amerikane tashmë po japin një “efekt real” dhe se Vladimir Putini, nuk ia kishte dalë të arrinte qëllimet e tij në zonën e Kharkivit, në verilindje të Ukrainës, ku forcat ruse nisën një ofensivë këtë muaj, duke hapur një front të ri.

“Përkundrazi, mendoj se ajo që ne po shohim sërish është një stabilizim i frontit dhe një dështim në aspektin e objektivave nga ana e Putinit”, tha ai.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtypin me Presidenten Sandu, zoti Blinken premtoi 50 milionë dollarë ndihma për Moldavinë dhe mbështetjen e qëndrueshme amerikane.

Ai tha se Moldavia ka treguar një “qëndrueshmëri të jashtëzakonshme” përballë “presionit” dhe “përpjekjeve për ndërhyrje” nga Rusia.

Nën udhëheqjen e zonjës Sandu, Moldavia ka dënuar me vendosmëri sulmin rus ndaj Ukrainës dhe i ka bërë të qarta synimet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zonja Sandu tha se vizita e Sekretarit Blinken ishte “një shenjë e fortë mbështetjeje” për Moldavinë.

“Përmes unitetit dhe me mbështetjen e partnerëve tanë, ne do të qëndrojmë pranë popullit tonë dhe do të bëjmë përpara”, tha ajo./VOA


Shtuar 29.05.2024 21:15

Tags: