Mediet greke publikojnë pamjet: Edi Rama do të sjellë mbi 2 mijë persona nga Shqipëria që të mbushë stadiumin plot

“Ministrat, deputetët, kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e qeverisë po mobilizonin anëtarët dhe mbështetësit e partisë për të udhëtuar dhe për të qenë në festën e Edi Ramës nesër në Galatsi”, kështu e nis artikullin media greke “Protothema”.

Mediat greke prej ditësh kanë filluar me aludime dhe këtë po vijojnë ta bëjnë edhe kur disa orë na ndajnë nga vizita e kryeministrit Edi Rama në shtetin fqinj.

“Sipas informacioneve të transmetuara nga himara.gr, nga sektori organizativ i partisë, për fjalimin e nesërm pritet të udhëtojnë rreth 2000 persona nga Shqipëria”, e vijon artikullin media greke.

Teksa më tej vijon duke thënë se sipas informacioneve të tyre është vendosur një lokacion specifik dhe është dhënë urdhër që stadiumi duhet të jetë plot.

Gjithashtu kjo media ka publikuar dhe disa pamje ku shihen autobusët që transportojnë shtetasit shqiptarë nga dogana e Kapështicës drejt Athinës.

“Mediat minoritare raportojnë se qëllimi i festës së Ramës në Galatsi është t’i dërgojë mesazhe qeverisë greke për instrumentalizimin e mundshëm të emigrantëve shqiptarë në zgjedhjet europiane të qershorit”, thuhet ndër të tjera./albeu.com 


Shtuar 11.05.2024 23:47