Partizani do të sfidojë Erzenin në transfertë ditën e dielë për të luajtur ndeshjen e javës së 27-të të Superiores në orën 14:00. Të kuqtë synojnë të nisin një ecuri fitoresh për të hedhur pas oshilacionet e për t’u rikthyer në garë për vendin e parë në renditje.
Një lajm i mrekullueshëm vjen nga inferimieria teksa dy sulmuesit Xhulio Skuka dhe Albers Keko kanë lënë pas shqetësimet e tyre. I pari u dëmtua në derbi dhe që prej asaj dite ka qenë jashtë fushave të blerta, ndërsa Keko vuante nga një problem në këmbë që nuk e linte të vishte atlete.
Mirëpo, këtyre angarive u vjen fundi pasi të dy do të marrin pjesë normalisht në seancat stërvitore duke filluar që sot për të qenë 100% të gatshëm ndaj shijakasve. Trajneri Shehi nuk ka ndërmend të nxitohet dhe inkuadrimi i tyre do të jetë gradual me disa minuta në pjesën e dytë në mënyrë që të rikuperojnë formën optimale pa shqetësime të mëtejshme.
S’mund të kishte lajm më të mirë se kaq për teknikun durrsak që do të ketë të gatshëm 2 ‘vrasës’ para porte në ndeshjet e mbetura.
I gatshëm do të jetë edhe Arinaldo Rrapaj i cili shleu 2 ndeshje pezullim dhe gjysma tjetër do të konvertohet në gjobë që do të paguhet nga klubi. /newsport.al/