Greqi/ Shqiptari i njohur si “Jambo” ekstradohet në burgun e Larisës pas 11 vitesh në arrati

Një shtetas shqiptar 33-vjeçar u rikthye në burgjet e Larisës pasi ishte arratisur 11 vite më parë. Shqiptari u arratis nga Gjykata e Larisës më 18 qershor të vitit 2013, teksa pak më përpara se të ikte Gjykata e Apelit vendosi një dënim prej 17 vitesh për të duke e shpallur fajtor për disa vepra penale, ku përfshihen sulme dhe grabitje të kryera në Larisa midis qershorit dhe tetorit 2012. 33-vjeçari njihej edhe me pseudonimin Jambo ose Dabo dhe për banorët e Larisës ishte kthyer në një “dhimbje koke”.

Së bashku me 5 bashkëpunëtorë të tjerë ata kanë kryer grabitje dhe rrahje në rrugën e Martalit në zonën e doganës. Autorët u afroheshin viktimave duke iu kërkuar cigare apo çakmak dhe më pas i grabisnin me dhunë. Sipas vendimit të Gjykatës greke, shqiptari u shpall fajtor për lëndime trupore në 3 raste dhe për grabitje në 6 raste.

Pas arratisje së tij u lëshuan dy urdhër-arreste evropiane dhe si pasojë ai u arrestua në Londër në gusht të vitit 2021 dhe dy vjet e gjysmë më pas iu dorëzua autoriteteve greke.

Tashmë shqiptari i është dorëzuar burgjeve të Larisës ku do të vuajë dënimin për të cilën u vendos nga gjykata, ku pritet të vuajë 15 vite burg deri në vitin 2039.


Shtuar 4.03.2024 17:06