Një ngjarje e pazakonte është regjistruar në Uzinën e Ferrokromit Burrel, e cila tashmë administrohet nga kompania turke “Yildirim”.
Drejtori i kësaj uzine Ervin Isaj, është dënuar nga Gjykata e Matit, pasi ka ushtruar dhunë ndaj punonjësit Hamit Metra.
Ky i fundit e ka paditur drejtorin për dhunë, pasi e ka kapur për fyti vetëm pse kishte shkuar të pijë ujë.
Hamiti shprehet se për këtë i është drejtuar gjykatës së Matit në vitin 2022 dhe Gjykata ka vendosur në favor të tij, duke e dënuar drejtorin nën akuzën e “Dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal.
Metra shprehet se çështja vazhdon në apel, ndërsa shton se ndaj drejtorit nuk është marrë asnjë masë disiplinore nga kompania.
Ndërkohë, Drejtori Ervin Isaj, shantazhon edhe punonjësit e tjerë të cilët dolën dëshmitar ndaj dhunës së ushtruar ndaj Metrës.
Albert Patushi denoncon se nga Drejtori Isaj, po ushtrohet presion në forma të ndryshme ndaj 9 punonjësve të tjerë, të cilët mbrojtën kolegun e tyre në gjykatë.
Patushi kërkon që ndaj Isajt të merren masa nga kompania, dhe të reagojnë sindikatat ku aderojnë punëtorët e Uzinës së Ferrokromit.
Nga ana tjetër, punonjësit e Uzinës thonë se nuk do të ndalen, derisa të marrin të drejtat e tyre dhe drejtori të mbajë përgjegjësi për veprimet e kryera në kundërshtim me kodin e punës.