Alsu Kurmasheva pranon letra në burg – nga familjarë, miq, kolegë e të huaj – por, nganjëherë, kalojnë javë para se ato t’i shkojnë asaj në qelinë ku ajo po mbahet në paraburgim, në qytetin rus të Kazanit. Më 13 janar, gazetarja e Radios Evropa e Lirë shkroi se ka pranuar një pako të madhe letrash, pas një pritjeje të gjatë në periudhën e pushimeve dimërore.
“Ishte shumë e vështirë për mua, pa to”, shkroi ajo. “Të jem e sinqertë, krejt kjo [gjendje] po bëhet e padurueshme”. Më 25 janar bëhen 100 ditë që kur Kurmasheva u arrestua në tetor, dhe ajo ndodhet në paraburgim që atëherë. “Qoftë edhe një ditë prapa grilave padrejtësisht, është tragjedi”, ka thënë ushtruesi i detyrës së presidentit të Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus. “Por, mbajtja e padrejtë e një qytetareje amerikane në një burg për 100 ditë është e papranueshme”, është shprehur ai.
Kurmasheva fillimisht është akuzuar se nuk e ka njoftuar qeverinë ruse që ta regjistrojë atë si “agjente të huaj” dhe, dy muaj më vonë, është akuzuar për shpërndarje të dezinformatave për ushtrinë ruse. Ligjet ruse parashohin ndëshkim maksimal prej pesë vjetësh burgim për ata që shpallen fajtorë mbi akuzën për mosregjistrim si “agjentë të huaj”, ndërsa mbi akuzën e dytë një person mund të dënohet me deri në 10 vjet burgim. Kurmasheva dhe Radio Evropa e Lirë i mohojnë akuzat dhe thonë se Moska po e ndëshkon atë për punën e saj si gazetare. Kurmashevas, e cila ka shtetësi amerikane dhe ruse, nuk i është lejuar kontakti konsullor në burg. Rusia i ka refuzuar tri kërkesa të SHBA-së për ta vizituar atë në paraburgim. “Rusia duhet ta lirojë atë pa kushte dhe menjëherë”, ka thënë Capus. “Ne shpresojmë se Departamenti amerikan i Shtetit do ta cilësojë shpejt Alsunë si ‘të burgosur padrejtësisht’”.
Përderisa kjo nuk ka ndodhur, zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller, ka thënë më 18 janar se Shtetet e Bashkuara po i kushtojnë “vëmendje jashtëzakonisht të madhe” rastit të Kurmashevas. “Fakti se ne nuk e kemi bërë një cilësim për ‘burgim të padrejtë’ nuk përbën asnjë indikacion për punën që ne po e bëjmë apo për qëndrimin tonë të mundshëm të ardhshëm”, ka shtuar Miller. “Ne po mbledhim vazhdimisht informata në këto raste, po i shqyrtojmë faktet, ligjet… që të shkojmë kah një vendim i drejtë”, është shprehur ai. Në një rast të ngjashëm, qytetari amerikan, Evan Gershkovich, gazetar i The Wall Street Journal, u arrestua në Rusi më 29 mars 2023, mbi dyshimet për spiunazh – duke shënuar rastin e parë që një gazetar që punon për një media amerikane u arrestua mbi akuza të tilla në Rusi, që nga Lufta e Ftohtë.
Ai u akuzua formalisht më 7 prill. Departamenti amerikan i Shtetit e ka cilësuar Gershkovichin “të arrestuar padrejtësisht” më 10 prill, ndërsa ambasadorja e SHBA-së në Rusi, Lynne Tracey, është takuar me të në burg për herë të parë më 17 prill. Gershkovich, një ndër gazetarët e paktë të huaj që kishte vazhduar të punonte brenda Rusisë pasi Moska nisi pushtimin e gjerë të Ukrainës, në shkurtin e vitit 2022, mbetet në paraburgim, mes spekulimeve se Kremlini dëshiron të negociojë për një këmbim të burgosurish. “Unë jam i sigurt se arsyeja e vërtetë pse Alsu ndodhet në paraburgim është fakti se ajo është qytetare amerikane”, -ka thënë Pavel Butorin, bashkëshort i Kurmashevas dhe drejtor i Current Time, rrjet në gjuhën ruse i udhëhequr nga Radio Evropa e Lirë, në bashkëpunim me Zërin e Amerikës.
Qeveritë perëndimore dhe grupet ruse e ndërkombëtare për të drejta të njeriut e kanë kritikuar burgosjen e Kurmashevas. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, Amnesty International, Reporterët pa Kufij e organizata të tjera kanë bërë thirrje për lirimin e saj. Klubi Kombëtar i Shtypit, në Uashington, e ka vendosur portretin e saj në hollin e tij, dhe i ka bërë thirrje DASH-it që menjëherë ta cilësojë atë “të burgosur padrejtësisht”. Grupi për të drejtat e njeriut, Memorial, i cili është ndaluar në Rusi, e ka cilësuar atë të burgosur politike. Në dhjetor, shefi për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka bërë thirrje për “lirimin e menjëhershëm” të saj dhe e ka porositur Rusinë “të garantojë sigurinë e gazetarëve… dhe të ndalë përndjekjen e tyre”.
Grupi Të drejtat në Rusi, me seli në Mbretërinë e Bashkuar, ka organizuar një mekanizëm për shkrimin e letrave për dërgim te Kurmasheva dhe të tjerë të konsideruar gjerësisht si të burgosur politikë. “Njëqind ditë – është e papranueshme”, ka thënë ushtruesi i detyrës së presidentit të REL-it, Capus. “Dhe, për fat të keq, nuk po shohim një fund të shpejtë të kësaj. Prandaj, ne mendojmë se duhet të bëhet gjithçka”