Vrasja e Klodian Rashës, gazetari hedh akuza të forta: Vetë Rama e dinte se çfarë kishin pamjet

Ditën e sotme, rreth 6 muaj nga vrasja e 25 vjeçarit Klodian Rasha, në media është publikuar momenti i vrasjes nga ish-efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj.

Lidhur me këtë, gazetari Flamur Vezaj i ftuar në Çim Peka Live, ka hedhur akuza të rënda ndaj policisë dhe prokurorisë për manipulim të ngjarjes së vrasjes së Rashës. Vezaj tha se policia dhe prokuroria, madje dhe kryeministri Rama e kanë ditur që në momentet e para se si ka qenë dinamika e ngjarjes, pasi kanë parë filmike, por kanë manipuluar opinionin publik dhe familjen e të ndjerit, duke nxjerrë një deklaratë të parë sikur Klodian Rasha kishte pasur armë me vete.

‘Kjo videon ekziston në dosje që në momentin e parë por është mbyllur në kasafortë nga policia me ndihmën edhe të prokurorit sepse nuk donin që kjo video të dilte në publik për shkak të impaktit që do jepte. Kjo prova ekziston që në momentin e parë të ngjarjes. Ata i kanë parë këtë pamje filmike dhe unë jam bazuar nga këto pamje të këtyre kamerave që në atë kohë janë mbyllur në kasafortë edhe më urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm apo ministrit të Brendshëm.

Kjo video nuk i është vënë në dispozicion as familjes. Këto janë fshehur më qëllim nga policia. Po ta mbani mend, politikanë të ndryshëm, Rama e disa të tjerë, u turrën në shtëpinë e familjes Rasha, dhe kjo për faktin se ata e dinin çfarë përmbanin pamjet, i kishin parë. Ajo që më bën përshtypje është përse lind nevoja për të shpikur pistoletën e Rashës, për ta inkriminuar viktimën, kur kishin parë gjithçka. Pamjet janë parë e sekuestruar që natën e krimit, është procedurë. Dhe të gjitha vizitat në familje u bënë për t’i qetësuar dhe që protesta të mos agravoheshin më shumë se sa u bënë. Vetë Rama e dinte se çfarë kishin pamjet.

Edhe familja i ka kërkuar këto pamje dhe nuk i janë vënë në dispozicion.

Po pse ia veshën viktimës një armë që nuk kishte, ndërkohë që pamjet e videos i kishin?!

Deklarata e policisë që implikon viktimën është bërë pasi kishin parë pamjet filmike dhe kjo e bën edhe më të rëndë situatën”,ësshtë shprehur gazetari.


Shtuar 3.06.2021 22:42