Macron shprehet pro të drejtës për azil: Është e gabuar t’i harrojmë këto probleme

Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh pro të drejtës për azil gjatë fjalimit të tij në Paris, me rastin e 75-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

“Franca ruan traditën e saj të gjatë të azilit për të gjithë ata të drejtat e të cilëve kërcënohen në vendin e tyre dhe ne do të vazhdojmë ta mbrojmë këtë të drejtë për azil. Është ajo që mbron luftëtarët e lirisë, projektuar në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur kaq shumë njerëz pa shtetësi lëviznin nëpër Evropë”, tha Macron gjatë fjalimit të tij në Palais de Savoy në Paris, ku u hartua Deklarata e vitit 1948.

“Të mendojmë të zgjidhim problemet tona moderne duke harruar këto të drejta, të cilat janë vetë baza e Republikës sonë, për sa i përket Francës, por edhe vetë identiteti i Europës sonë, do të ishte e gabuar, jo vetëm politike, por morale”, tha ai, duke theksuar se Franca qëndron “veçanërisht në krah të grave afgane, të drejtat më elementare të të cilave sot shkelen kaq rëndë”, pas kthimit të talebanëve në pushtet në vitin 2021.

Presidenti francez mbrojti më gjerësisht parimet e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, duke nënvizuar se “këto parime nuk janë kulturore, nuk janë perëndimore, nuk janë të datuara apo të kufizuara gjeografikisht”, duke denoncuar, në të njëjtën kohë, “këtë lloj revizionizmi modern, të cilin e shohim të rishfaqet kudo”.


Shtuar 11.12.2023 15:23