Vrasja e 41-vjeçarit në Fier, sekuestrohet makina e Agim Gashit, kush e ndihmoi ta fshihte

Policia gjen automjetin e përdorur nga autorët gjatë vrasjes së 41 vjecarit.

Procedohet shtetasi Rexhep Puka, burri i tezes së autorëve pasi kishte fshehur automjetin në garazhin e shtëpisë së tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi në datën 7 dhjetor në lagjen “16 prilli” në Fier.

Policia njofton se gjatë kontrolli në shtëpinë e 70-vjeçarit Rexhep Puka, në fshatin Dërmënas në garazhin e mbyllur, u gjet dhe u sekuestrua automjeti tip “Benz”, i përdorur nga shtetasit Agim Gashi dhe vëllai i tij, K.Gashi gjatë vrasjes së Javorit.

Nga këqyrja e këtij automjeti u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një gezhojë arme zjarri, ndërsa në banesë u gjend një fishek arme zjarri.

Gjithashtu, po në këtë garazh u gjet dhe u sekuestrua edhe një automjet tjetër tip “Benz”, i blinduar, në bagazhin e të cilit u gjet edhe një targë automjeti tjetër.

Po gjatë kontrolleve të imtësishme në zonë, në një banesë, të cilin e kishte në ruajtje Puka, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 celularë të fikur, 4 jelekë antiplumb si të Policisë, 1 armë gjahu teke, 1 armë shotgan, 2 krehra pistolete bosh dhe 1 sëpatë me bisht druri, të dyshuara se mund të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Sakaq, autorët e dyshuar të ngjarjes, vëllezërit Gashi janë në kërkim.


Shtuar 10.12.2023 11:36