Shembja e ndërtimeve pa leje në Velipojë e Ksamil, Çuçi: Do ndëshkohen të gjithë që “mbyllën sytë”

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka bërë me dije se javën që vjen, nis shembja e të gjitha ndërtimeve pa leje nga Velipoja në Ksamil.

Më tej Çuçi paralajmëron se do të ketë masa ndëshkuese për të gjithë ata të cilët kanë shkelur ligjin dhe kanë ndërhyrë në zonat e mbrojtura.

Përmes një postimi në Facebook, ku në krah të tij shfaqet dhe kryeministri Edi Rama, Çuçi bën apel se masa do të merren ndaj çdo punonjësi kantieri, policie apo dhe inspektorët e IKMT-së të cilët mund të kenë mbyllur sytë teksa ndërtohej pa leje.

Reagimi 

Javën e ardhshme do të nisim fillimisht me shembjen e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare nga Velipoja deri në Ksamil, për të çliruar çdo hapësirë të zaptuar dhe për të vënë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit. Më tej është radha e atyre që kanë ndërhyrë në zonat e mbrojtura dhe akset kombëtare. Policia e Shtetit dhe IKMT kanë bërë bërë evidentimin e ndërtimeve dhe çdo strukture tjetër të ngritur pa leje në të gjithë territorin e vendit. Ndryshe nga herët e kaluara, kësaj radhe pas ndryshimit të Kodit Penal, masat ndëshkuese janë ashpërsuar dhe prekin të gjithë zinxhirin e ndërtimit nga investitori deri tek punonjësit e kantiereve apo edhe oficerët e policisë e inspektorët e IKMT-së që mund të kenë mbyllur sytë teksa ndërtohej pa leje. #SkaKohëPërPushim??♂️


Shtuar 1.06.2021 19:35