Goditet grupi kriminal në Shkodër, sekuestrohet 13 kg kanabis

Policia e Shkodrës goditi ditën e djeshme një grup kriminal të dedikuar për prodhimin dhe shpërndarjen e drogës.

U identifikuan 9 anëtarë të grupit dhe 3 prej tyre u ndaluan.

Sakaq, ditën e sotme, në kuadër të të njëjtit operacion, në afërsi të lumit Kir,  u gjet dhe sekuestruar 13.8 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe sende për përpunimin e lëndës, që posedoheshin nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal.

Në gusht të këtij viti, Policia i asgjësoi grupit kriminal, 10 274 bimë cannabisi, të kultivuara në fshatrat Kir dhe Pult.

Në kuadër të goditjeve të njëpasnjëshme antidrogë, të Policisë, kanë vijuar hetimet për të dokumentuar ligjërisht veprimtarinë kriminale të 9 shtetasve, të cilët të organizuar si grup, kultivonin dhe prodhonin lëndë narkotike cannabis sativa, në fshtara të ndryshëm në Malësinë e Shkodrës.

Nga kontrollet, shërbimet e Policisë gjetën në një banesë të pabanuar, në afërsi të lumit Kir, dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, rreth 13.8 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe sende për përpunimin e lëndës, që posedoheshin nga këta 9 shtetas, të cilët u identifikuan dje, si rezultat i hetimeve intensive të ndjekura proaktivisht, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u vunë në pranga 3 nga pjesëtarët e grupit kriminal dhe vijon puna për kapjen e 6 të tjerëve.

Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas të organizuar si grup, kishin kultivuar 10 274 bimë cannabisi, në fshatrat Kir dhe Pult, veprimtari kriminale e cila u shkatërrua nga Policia e Shkodrës, në gusht të këtij viti, si rezultat i fazës së 12-të të megaoperacionit “Alpe të pastra”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 27.11.2023 11:01