Izraeli dhe Hamasi arrijnë marrëveshjen për armëpushim katër-ditor, lirimin e pengjeve dhe ndihmë në Gaza

Qeveria izraelite dhe Hamasi ranë dakord të mërkurën për një pauzë katër-ditore në luftime për të lejuar lirimin e 50 pengjeve të mbajtura në Gaza në këmbim të 150 palestinezëve të burgosur në Izrael dhe hyrjen e ndihmës humanitare në enklavën e rrethuar, raporton Reuters.

Zyrtarët nga Katari, i cili ka ndërmjetësuar negociatat sekrete, si dhe nga SHBA, Izraeli dhe Hamasi prej ditësh kanë thënë se një marrëveshje ishte e afërt.

Hamasi besohet se mban më shumë se 200 pengje, të marrë kur luftëtarët e tij hynë në Izrael më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz, sipas të dhënave izraelite.

Një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se 50 gra dhe fëmijë do të lirohen gjatë katër ditëve, gjatë së cilës do të ketë një pauzë në luftime.

Për çdo 10 pengje shtesë të liruar, pauza do të zgjatej me një ditë tjetër, tha ai, pa përmendur lirimin e të burgosurve palestinezë në këmbim.

“Qeveria e Izraelit është e përkushtuar të kthejë të gjithë pengjet në shtëpi. Sonte, ajo miratoi marrëveshjen e propozuar si fazën e parë për arritjen e këtij qëllimi”, thuhet në deklaratën e lëshuar pas disa orësh diskutimesh që ishin të mbyllura për shtypin.

Hamasi tha se 50 pengjet do të liroheshin në këmbim të 150 grave dhe fëmijëve palestinezë që mbahen në burgjet izraelite. Marrëveshja e armëpushimit do të lejojë gjithashtu qindra kamionë me ndihma humanitare, mjekësore dhe karburant të hyjnë në Gaza, tha grupi palestinez në një deklaratë.

Izraeli ishte zotuar të mos sulmonte apo arrestonte askënd në të gjitha pjesët e Gazës gjatë periudhës së armëpushimit, shtoi ai.

Presidenti i SHBA Joe Biden tha se e mirëpret marrëveshjen.

“Marrëveshja e sotme duhet të sjellë në shtëpi pengje të tjera amerikane dhe unë nuk do të ndalem derisa të lirohen të gjithë”, tha ai në një deklaratë.

Qeveria e Katarit tha se 50 gra dhe fëmijë civilë peng do të lirohen nga Gaza në këmbim të lirimit të “një numri të grave dhe fëmijëve palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite”.

Koha e fillimit të armëpushimit do të shpallet brenda 24 orëve të ardhshme, thuhet në një deklaratë.

Marrëveshja është armëpushimi i parë i një lufte në të cilën bombardimet izraelite kanë rrafshuar një pjesë të Gazës të sunduar nga Hamasi, kanë vrarë 13,300 civilë në enklavën e vogël me popullsi të dendur dhe kanë lënë rreth dy të tretat e 2.3 milionë njerëzve të saj të pastrehë, sipas autoriteteve në Gaza.

Por Netanyahu tha se misioni më i gjerë i Izraelit ishte i pandryshuar.

“Ne jemi në luftë dhe do të vazhdojmë luftën derisa të arrijmë të gjitha qëllimet tona. Të shkatërrojmë Hamasin, të kthejmë të gjithë pengjet tona dhe të sigurojmë që asnjë ent në Gaza nuk mund të kërcënojë Izraelin,” tha ai në një mesazh të regjistrua./albeu.com


Shtuar 22.11.2023 07:42