Motra e Adnant Jaupit, trupi i të cilit u gjet i copëtuar në Xarrë të Sarandës ka folur për mediet. Ajo ka rrëfyer herën e fundit që kishte komunikuar me të vëllanë.
Në “News 24”, motra e 53-vjeçarit tha se biseda e fundit ishte rreth një muaj më parë dhe sqaroi e nuk e kishin denoncuar në polici, pasi nuk ishte hera e parë që i shkëpusnin lidhjet.
“Nuk e kishim shpallur të humbur. Kemi folur me të 1 muaj më parë. Ai nuk ishte bari, punonte në një fermë në Sarandë në Konsipol. Mbillte dhe kujdesej për ullinjtë, portokallet. Këtë punë mbante. Ne e dënim që ai punonte se këtë gjë e ka bërë më përpara. I shkëpuste lidhjet për 2-3 muaj dhe më pas kontaktonte. Nuk kishim shkuar as në polici. Ishte hera e parë dje që mori policia e Sarandës, që dhanë lajmin që është gjetur I vdekur dhe kaq. Ai ishte beqar”, tha ajo.
Sakaq, policia në një reagim tha se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale dhe se trupi i të ndjerit ishte copëtuar nga kafshët e egra. 53-vjeçari nga Elbasani punonte në fshatin Xarrë.
Njoftimi i plotë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për gjetjen e mbetjeve kockore humane, në proces dekompozimi, pranë varrezave të fshatit Xarrë, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë kanë vijuar kontrollet në zonë dhe veprimet hetimore për këtë rast. Si rezultat, është bërë e mundur gjetja e trupit të cilit i përkisnin mbetjet kockore dhe identifikimi i kufomës, shtetasit Adnant Jaupi, banues në Elbasan.
Nga hetimet e deritanishme të kryera nga grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, dyshohet se ky shtetas (i punësuar çoban në fshatin Xarrë) ka humbur jetën për shkaqe natyrale dhe se trupi i tij i pajetë është copëtuar nga kafshët e egra. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Koka u gjet mbrëmjen e 14 nëntorit nga banorë të fshatit të cilët lajmëruan policinë.
Menjëherë pasi policia mbërriti në vendin e ngjarjes, konstatoi se koka kishte ende inde të buta çka shtoi dyshimet se ngjarja ishte e ditëve të fundit.
Sakaq, pas kontrolleve të shtuara në zonë, ditën e djeshme, 15 nëntor, u gjet edhe trupi.
Fillimisht u dyshua se mbetjet njerëzore ishin të njërit prej personave të zhdukur në Sarandë, më 7 prill 2023, Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari.
Familjarë të Sulovarit përgjatë gjithë ditës së djeshme ndodheshin në vendin e ngjarjes për tu njohur me përgjigjet e ekspertizës mjeko-ligjore.
Sulovari dhe Thodhori janë zhdukur në prill dhe fat ii tyre vijon të mbetet mister edhe pas 8 muajsh.
/albeu.com