Ekstradimi i Bajrit, paralajmëron Balla: Rezultate të tjera si ky do të vijojnë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas ekstradimit të Behar Bajrit në vendin tonë.

Ky i fundit u ekstradua nga Franca pasi akuzohet për një sërë veprash penale.

Përmes një mesazhi, Balla theksoi se ka përfunduar me sukses procesi i ekstradimit të të shumëkërkuarit nga Franca, drejt Shqipërisë dhe paralajmëron goditje të tjera ndaj personave me prececdentë kriminale.

“Përgëzime Policisë së Shtetit, Policisë franceze dhe natyrisht INTERPOL për bashkëpunimin në gjetjen e personave në kërkim nga drejtësia shqiptare. Ka përfunduar me sukses procesi i ekstradimit në Shqipëri të shtetasit B.B., i cili ishte shpallur në kërkim nga drejtësia. Rezultate të tjera si ky do të vijojnë”, shkruan Balla.

Pas ekstradimit, Bajri do të njihet me akuzat në një seancë të posaçme për rivlerësimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’, të marrë në mungesë për 5 vepra penale, mes të cilave vrasje me pagesë, grup kriminal. Ai u arrestua më 4 shtator në një lokal në Strasburg, pasi ishte shpallur në kërkim në muajin korrik 2023 për llogari të dosjes “Metamorfoza”. Autoritetet franceze disa muaj më parë, bashkë me Blegjikën, i vunë në dispozicion SPAK biseda të Bajrit dhe 15 personave të tjerë në hetim, biseda të dekoduara në aplikacionin SkyEÇ, në të cilat tregohen qartë përgatitjet për vrasjen e Gjin Boriçit në Vaun e Dejës dhe tentativave për vrasje të Kleanth Musabelliut, Dorian Dulit, Genc Tafilit apo Ibrahim Licit nga këta, asnjë i ekzekutuar.

Biznesmeni i dosjes Metamorfoza Pëllumb Gjoka, i arrestuar, ka porositur Bajrin të vrasë Kleanth Musabelliun, por sipas përgjimeve, Behar Bajri bisedoi me Ervis Martinajn, bosin e zhdukur të lojërave të fatit, dhe ndërruan objektivët. Bajri vrau Gjin Boriçin në Vau Dejës ndërsa Martinaj dështoi të ekzekutojë Kleanth Musabelliun, pasi shënjestra kuptoi planin. Në dosjen voluminoze janë të përfshirë edhe ish-kreu i Operacionales Oltion Bistri dhe ish-prokurori Xhevahir Lita, i njëjti që i dha liri Behar Bajrit në 2019-ën.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj Bajrit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, kryer në bashkëpunim”.


Shtuar 16.11.2023 12:51