Rikthehet çështja e Gërdecit! 26 viktima, Ilir Panda merr në dorë gjykimin e Fatmir Mediut

Ditën e sotme Prokuroria e Posaçme anti Korrupsion kërkon heqjen e pezullimit të gjykimit për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Ilir Panda do të jetë relatori i dosjes së “Gërdecit”, për të cilën, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kërkoi tre javë më parë rihapjen e hetimeve për ministrin e Mbrojtjes në atë kohë (2008), Fatmir Mediu. Çështja do të shkojë në Gjykatën e Lartë dhe pritet të gjykohet nga tre gjyqtarë.

Më 6 maj të këtij viti, SPAK njoftoi se është arritur në përfundimin se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore që të rihapet procesi gjyqësor nga Gjykata e Lartë për ish-ministrin Mediun.

Ky i fundit e komentoi përfundimin e SPAK, duke shtuar se ka shumë pikëpyetje lidhur me veprimtarinë. Mediu theksoi se lajmin e mësoi nga mediat dhe sjellja e SPAK ka shumë pikëpyetje pasi kanë tejkaluar afatet, por do të marrë veprime pasi të shohë se si do të sillej në përfundim Prokuroria e Posaçme.

Ish-ministri tha se rihapja e hetimeve po bëhet nga politika, sepse sipas tij, në Shqipëri nuk ka më as institucione dhe Kushtetutë. Nga shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit të vitit 2008 rreth orës 12:05, humbën jetën 26 persona, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë.

Shpërthimi në Gërdec, si “bombë atomike”

Shpërthimi shkaktoi një krater gjigand me një thellësi prej 120 inçsh. Shpërthimi vrau 25 persona (26 së bashku me të vdekurën në spital, si pasojë e djegieve të rënda) dhe ngjasonte me një kërpudhë të zezë tymi. Shumë analistë e quajtën atë si “bombë atomike në miniaturë” edhe pse do të ishte e ekzagjeruar të bënim një krahasim të tillë.

Dëshmitarë që përjetuan ngjarjen thonë se valanga e shpërthimit i kishte hedhur ato disa metra tutje. {Ref 11} Persona që ndodheshin në udhëtim gjatë kohës së shpërthimit (në aksin Tiranë-Durrës), dëshmuan se frika i kishte pushtuar të gjithë. Të tjerë do të ktheheshin nga emigracioni, vetëm për të gjetur shtëpinë e rrënuar ose të dy prindërit të vdekur. Të tjerë kanë qenë në shërbimin ushtarak të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit kur tragjedia ndodhi. Fëmijët nuk u kursyen në këtë masakër.

Rasti konkret ishte Flavio Deliu (vetëm katër vjeç), i cili humbi jetën gjatë shpërthimit. E në të gjithë këtë tragjedi të madhe, numri i arrestuar arrin në tre. Shtëpia të shumta u shkatërruan dhe shumë biznese që ndodheshin në këtë zonë, pësuan dëme të rënda. Personat që humbën gati gjithçka në shpërthim filluan protesta të shumta në të gjithë vendin.

Ata u ankuan për dëme fizike, morale dhe materiale, ndërkohë që qeveria i ka dhënë atyre vetëm 1 300 dollarë për person. Një problem dhe pasojë tjetër që la shpërthimi, është edhe ai i radioaktivitetit. Profesori Ndrek Gazulli shprehet, se toka ku ka ndodhur shpërthimi është jashtë përdorimit dhe me rrezik radioaktiv. Për 15 vjet, radioaktiviteti do të jetë i pranishëm në zonë dhe do të dëmtojë si qeniet e gjalla, ashtu si edhe bimët që do të mbillen aty.

Uji është i infektuar gjithashtu, mbasi pas shpërthimit është me ngarkesa të plota kancerogjene. Akoma opinioni publik, pyet se përse demontimi i armëve, po kryhej në një vend si Gërdeci, ndërkohë që fabrika e demontimit në Poliçan, ishte krejtësisht në dispozicion?! Kur mendohej, se ujërat u qetësuan, Pse rreziku jetësor ishte vendosur aq afër qendrës së banuar?!

Viktimat e Gërdecit

1. Qemal Deliu
2. Kore Deliu
3. Liljana Deliu
4. Jetmir Deliu
5. Flavio Deliu, 3 vjeç
6. Hysen Cani
7. Muhamet Hoxha
8. Besim Çanga
9. Roland Alla
10. Reshit Kruja
11. Mehmet Hazizi
12. Bukurie Cani
13. Arben Hasa
14. Zilie Kaca
15. Endri Dvorani
16. Shefki Cani
17. Zelije Leti
18. Ilirjan Malci
19. Shqipe Hasa
20. Azem Hamolli
21. Nafije Laçi
22. Zylfije Ahmeti
23. Erison Durda, 10 vjeç
24. Rajmonda Durda
25. Jetmir Ballazhi
26. Resmie Kranja


Shtuar 31.05.2021 16:00