Bëri 2 operacione, 33-vjeçarja mëson se u diagnostikua gabimisht me kancer

Një grua kaloi dy vite të jetës së saj duke bërë trajtime mjekësore pasi u diagnostikua me kancer. Por mbeti e shokuar kur doktorët i thanë se e kishin diagnostikuar gabim.

Rasti në fjalë ka ndodhur në Britani, ku një 33-vjeçareje i thanë se kishte kancer të lëkurës. Ishte viti 2019 kur Megan Royle nisi trajtimet dhe kreu 9 cikle radioterapie, 2 operacione si dhe vendosi që të ngrinte vezët.

Mediat e huaja shkruajnë se 2 vjet më vonë mori vesh se mjekët ishin gabuar në diagnostikimin e sëmundjes së saj. Një gjë e tillë u zbulua kur Megan ndryshoi spitalin dhe të dhënat e saj mjekësore u rishikuan.

Royle tashmë ka marrë kompensim nga grupet shtetërore “Royal Marsden NHS Foundation Trust” dhe spitali universitar “Imperial College Healthcare”.

33-vjeçarja, artiste grimi nga Beverley, në veri të Anglisë, thotë se ende nuk arrin ta kuptojë atë që i ndodhi.

“Askush nuk e beson se mund të të ndodhë diçka e tillë, ende sot nuk kam një arsyetim se si dhe pse më ka ndodhur kjo. Kalova dy vjet duke besuar se isha me kancer, pasi bëra të gjitha trajtimet më thanë se nuk kisha pasur kancer. Ju mund të mendoni se tani duhet të ndjehem e lehtësuar, në njëfarë mënyre isha, por emocioni më i fortë është zhgënjimi dhe zemërimi. Kur më thanë fillimisht se isha me kancer dhe se kisha nevojë për një operacion që do të ndikonte në fertilitetin tim, unë pranova menjëherë. Asokohe nuk mendoja të kisha fëmijë, por do ta dëshiroja më vonë, prandaj ngriva vezët siç më këshilluan dhe nuk hezitova. Kur më thanë pas dy vjetësh se nuk kisha pasur kancer, nuk isha vetvetja për shumë kohë”, ka thënë ajo.

E reja shton se shkoi te doktori kur ishte 29 vjeçe prej një nishani në krahun e saj që po i rritej në masë dhe pas një analize biopsie i thanë se kishte melanoma, një lloj kanceri të lëkurës.

Megan rrjedhimisht u detyrua të kryente imunoterapi, të ngrinte vezët e saj dhe më pas të operohej. Pasi zbuloi se e gjithë diagnoza e saj ishte e gabuar, ajo paditi mjekët për neglizhencë dhe fitoi ndaj dy grupeve mjekësore.