“Zgjohu o babi”, e mitura dhe i ati me motor përplasen nga 18-vjeçari në Durrës

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Durrës.

Babë e bijë kanë mbetur të plagosur pasi një automjet i cili drejtohej nga një 18-vjeçar u fut në parakalim të gabuar dhe përplasi motorin me të cilin udhëtonin.

Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, burri rreth të 50-tave ka marrë plagë të rënda në këmbë dhe prerje të thella në bark. Ai ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërsa e bija 15-vjeçare ka pësuar thyerje në të dyja këmbët.

“U trembëm nga gjithë ajo përplasje dhe nga ulërimat e vajzës që bërtiste “Zgjohu o babi”, thotë një dëshmitar nga vendi i ngjarjes.

Policia nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar për aksidentin dhe nuk dihet nëse 18-vjeçari është arrestuar.

Nuk dihet se për çfarë arsyeje po fshihet ngjaja nga ana e uniformave blu./Albeu.com


Shtuar 3.10.2023 10:24