Kryeministri i vendit, Edi Rama ditën e sotme ndodhet për një vizitë zyrtare në Kroaci.
Delegacioni shqiptar ka nënshkruar dy marrëveshje me qeverinë e Kroacisë, një për njohjen e pensioneve nga të cilat përfitojnë mbi 3000 shqiptarë që jetojnë atje, si edhe një marrëveshje në fushën e mjekësisë.
Ministri i Financave Ervin Mete dhe Ministri i Punës, Sistemit të Pensioneve, Familjes dhe Politikës Sociale të Kroacisë, Marin Piletić nënshkruan në Zagreb, marrëveshjen për mbrojtjen shoqërore. Kjo marrëveshje u siguron qytetarëve të të dyja vendeve njohjen e ndërsjelltë të kontributeve të sigurimeve shoqërore për përfitimin e pensioneve.
Formalizmi i marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Kroacisë mundëson koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore në përputhje me standardet e legjislacionit evropian, duke mundësuar gjithashtu përfitimet e papunësisë, pagesat e barrë lindjes, përfitime në para në rastin e aksidenteve në punë, etj.
Janë mbi 3,000 shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Kroaci, që pritet të përfitojnë nga kjo marrëveshje. Falë marrëveshjes për mbrojtjen shoqërore, e cila do të nisë të zbatohet pas ratifikimit nga parlamentet e të dy vendeve, qytetarët nuk do të humbasin kontributet e paguara, pavarësisht se ku kanë punuar. Ajo bazohet në disa parime bazë si trajtimi i barabartë, ruajtja e të drejtave të arritura, bashkimi i periudhave të sigurimit, si dhe ofrimi i përfitimeve, brenda dhe jashtë shtetit të origjinës.
Kroacia i shtohet kështu një sërë shteteve të tjera, me të cilat tashmë Shqipëria ka finalizuar marrëveshjet për mbrojtjen shoqërore./Albeu.com/