Nga arratia, Ahmetaj ankimon në Kushtetuese kontrollin e banesës së bashkëjetueses

Ish-zëvendës kryeministri dhe ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka ankimuar nga arratia në Gjykatën Kushtetuese  kontrollin e banesës së bashkëjetueses.

Ai kërkon shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në Apel.

Sipas ankimit, kontrollet janë në papajtueshmëri me ligjin dhe antikushtetuese, pasi nuk ka patur autorizim nga Kuvendi, sepse në njërën nga banesat jetonte edhe vetë Ahmetaj që gëzonte mandatin e deputetit.

Mbrojtja ka renditur edhe katër pika pse e konsideron të paligjshëm kontrollin e banesave.

Arben Ahmetaj akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK për veprat penale: pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe korrupsion pasiv; të lidhur me të ashtuquajturën afera e incineratorëve.

Vetë Ahmetaj pretendon se nuk ka lidhje, por kërkon nga SPAK që të hetojë lidhur me sigurimin e fondeve, duke dhënë kështu detaje lidhur me ku duhet që të fokusohen hetimet. Aktualisht raportohet që të jetë jashtë territorit të Shqipëri, madje më konkretisht avokatët e tij pretendojnë se është në Britaninë e Madhe./Albeu.com. 


Shtuar 19.09.2023 10:26