“Shkelje e rregullave për të dhënat personale të të miturve”, BE gjobit me 345 milionë euro Tik Tok

Bashkimi Evropian ka vendosur një gjobë administrative prej 345 milionë eurosh për TikTok, pasi u gjykua se platforma shkel rregullat evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale të të miturve.

Komisioni Irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave (DPC), duke vepruar në emër të BE-së, njoftoi se TikTok Technology Limited, përveç gjobës, duhet të pajtohet brenda tre muajve.

Hetimi i DPC filloi në shtator 2021 në TikTok, një degë e gjigantit kinez ByteDance.

Sot, platforma ka 150 milionë përdorues në SHBA dhe 134 milionë në Bashkimin Europian, dhe është shumë e popullarizuar te të rinjtë.

Hetimet mbuluan periudhën ndërmjet 31 korrikut dhe 31 dhjetorit 2020.

Arsyetimi i autoritetit irlandez

Autoriteti irlandez nënvizoi në vendimin e tij se regjistrimi i të miturve në platformë bëhet në mënyrë të tillë që llogaritë e tyre të jenë publike si parazgjedhje.

Çështje të tjera që lidhen me cilësimin e veçorisë “lidhja familjare”, e cila lejon që llogaria e prindit në TikTok të lidhet me atë të fëmijës së tyre.

Sipas vendimit, kompania nuk verifikon nëse përdoruesi i regjistruar ishte në të vërtetë një prind ose kujdestar.

Për më tepër, ndërkohë që platforma është menduar teorikisht për përdoruesit mbi moshën 13 vjeç, DPC konsideron se TikTok nuk ka marrë parasysh siç duhet rreziqet për fëmijët më të vegjël që kanë arritur të krijojnë një llogari në platformë.

TikTok nuk pajtohet me vendimin dhe kryesisht me shumën e gjobës

TikTok “nuk pajtohet me vendimin, veçanërisht me shumën e gjobës së vendosur”, u përgjigj një zëdhënës i kompanisë, duke sqaruar se kompania “po shqyrton hapat e ardhshëm”, pa marrë një vendim nëse do ta apelojë atë.

“Kritika e DPC fokusohet në veçoritë dhe parametrat që ishin në fuqi tre vjet më parë dhe që ne i kemi modifikuar” menjëherë pas kësaj, argumentoi kompania, duke vënë në dukje për shembull se të gjitha llogaritë e nën 16-vjeçëve tani janë private si parazgjedhje.

Kompania pretendon se monitoron nga afër moshat e përdoruesve të saj dhe thekson se ka fshirë rreth 17 milionë llogari në mbarë botën vetëm në tre muajt e parë të vitit 2023, me dyshimin se ato llogari i përkisnin personave nën 13 vjeç.

Kjo është gjoba e parë që rregullatori irlandez i ka vendosur ByteDance.

Majin e kaluar, DPC gjobiti Metën me një rekord prej 1.2 miliardë eurosh për shkeljen e rregulloreve evropiane për mbrojtjen e të dhënave me faqen e rrjeteve sociale Facebook.


Shtuar 15.09.2023 15:21