Rusia tha të enjten se po dëbon dy diplomatë amerikanë që i akuzon se punojnë me një shtetas rus të konsideruar si “agjent i huaj”.
Ministria e Jashtme ruse tha në një deklaratë se telefonoi ambasadoren Lynne Tracy dhe i tha asaj se sekretari i parë i ambasadës Jeffrey Silin dhe sekretari i dytë David Bernstein duhet të largohen nga Rusia brenda shtatë ditëve.
Robert Sonov, një shtetas rus, punoi në Konsullatën e Përgjithshme të SHBA në qytetin e Vladivostok për më shumë se 25 vjet derisa Rusia në vitin 2021 urdhëroi shkarkimin e tij, duke e quajtur atë një “agjent të huaj”.
Ky emërtim, që të kujton “armiqtë e popullit” të epokës sovjetike, përdoret masivisht kundër kundërshtarëve, gazetarëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut të akuzuar për kryerjen e aktiviteteve politike të sponsorizuara nga jashtë.
“Agjentët e huaj” u nënshtrohen shumë kufizimeve dhe procedurave komplekse, nën kërcënimin e dënimeve të rënda. Në veçanti, ata duhet ta përmendin këtë emër në të gjitha botimet e tyre.
Shtetet e Bashkuara akuzuan Moskën në gusht se po përpiqej të frikësonte dhe ngacmonte zyrtarët amerikanë pasi mediat ruse raportuan se Sonov po mblidhte inteligjencë në emër të Uashingtonit.