Detaje nga vrasja në Prizren, 48-vjeçari u ekzekutua në sy të gruas dhe fëmijës

Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh, ka njoftuar për vrasjen që tronditi Prizrenin dje, ku mbet i vdekur Beqir Morina, 48 vjeç. Ndërsa i dyshuari është Aziz Gashi.

PK ka thënë se i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës pas një mosmarrëveshje që kishte me të.

Për kapjen e të dyshuarit, njësitet policore kanë kryer disa bastisje në lokacione të ndryshme, mirëpo i dyshuari nuk është kapur ende.

“Prizren 03.09.2023-18:45. Dyshohet se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me viktimën mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, prokurori kujdestar dhe ekipi mjekësor i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa njësitet policore kanë kryer disa bastisje në lokacione të ndryshme në kërkim të vendndodhjes së  dyshuarit i cili është në kërkim policor. Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime intensive”, thuhet në raport.

Gjithçka dyshohet se ndodhi pak para orës 19:00, kur u dëgjuan disa krisma armësh nga një veturë në lëvizje. I dyshuari Gashi, i cili është nga fshati Sferkë i Klinës dyshohet se gjuajti shtatë herë në drejtim të viktimës, të cilin e la të vdekur në vend.

Sipas një dëshmitari të rastit, i cili thotë se e ka parë momentin kritik, 50-vjeçari ka kryer aktin në prani të gruas dhe fëmijës së viktimës.

“Njëri doli prej Taureg-ut, në sy të gruas e të fëmijës e vrajti njeriun, e la për toke. Nuk po dihet pse, veç atë burrin e njoh, punojke në ndërtim ai, i Malishevës. Në sy të gruas, në sy të fëmijës e ka gjujtë, me kallash. Edhe atë djalin e vet, nëpër mure t’u ikë prej plumbit…”, tregoi njëri nga dëshmitarët e rastit për Sinjalin.


Shtuar 4.09.2023 10:11