Xhaçka i përgjigjet prerë ministrit grek: Nuk ka vullnet politik që nxjerr Belerin nga burgu

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka i është përgjigjur menjëherë deklaratës së homologut grek Jorgo Gjerapetriti, pasi ky i fundit deklaroi se çështja e Belerit është “vullnet politik” dhe se sipas tij, betimi si kryebashkiak s’ka lidhje me drejtësinë.

Në një reagim në “X”, Xhaçka thotë se kjo çështje është në dorë të organeve të reja të drejtësisë, të cilat tashmë kanë folur qartë me vendimet e tyre.

“Çështja e betimit të kryebashkiakut të ndaluar nga drejtësia është një çështje e drejtësisë. Jo e qeverisë shqiptare. As e qeverisë greke”, deklaron ministrja Xhaçka.

Kryediplomatja shqiptare shton se nuk ka “vullnet politik” që e nxjerr nga burgu Fredi Belerin, apo që t’i dërgojë atij noter për t’u betuar brenda qelisë së burgut.

Reagimi i plotë i Xhaçkës:

Nuk ka mundësi që miqtë dhe fqinjët tanë grek të jenë të vetmit që kanë të drejtë, kur këmbëngulin në një kërkesë të rrëzuar nga gjykatat shqiptare dhe të qartë për miqtë e partnerët e tjerë, të cilët thonë se kjo është një çështje e drejtësisë shqiptare! https://t.ly/8N8Qo

Organet e reja të drejtësisë shqiptare kanë folur qartë me vendimet e tyre dhe qeveria shqiptare ka folur qartë po ashtu: Çështja e betimit të kryebashkiakut të ndaluar nga drejtësia është një çështje e drejtësisë. Jo e qeverisë shqiptare. As e qeverisë greke.

Homologut tim grek për të cilin kam shumë respekt, i kam thënë se për këtë çështje nuk duhet të niset nga ligji grek por nga ligji shqiptar.

Dhe sipas ligjit shqiptar, s’ka vullnet politik që e nxjerr zotin Beleri nga burgu apo që fut noter në burg që ai të bëj betimin si kryebashkiak.

Me keqardhje po kjo është kështu dhe vetëm kështu.


Shtuar 31.08.2023 20:57