34-vjeçari kuksian i vjedh 600 mijë lekë të atit, sa i gjeti policia në xhep

Një 34-vjeçar është arrestuar nga policia e Kukësit pasi akuzohet se i ka vjedhur babait të tij 60.000 lekë në banesën e tyre.

Disa ditë më parë, shtetasi Sh.M  vodhi shuma parash dhe bizhuteri floriri, në një banesë tjetër në qytetin e Kukësit.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, të kryera pas kallëzimit të një shtetasi se djali i tij i kishte vjedhur në banesën e tyre, një shumë parash, është finalizuar operacioni policor i koduar “Next room”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi Sh. M., 34 vjeç, banues në Kukës”, njofton policia.

Në momentin e arrestimit, 34-vjeçarit iu gjetën dhe iu sekuestruan, 40 000 lekë që dyshohet se ia ka vjedhur babait të tij, në banesën e tyre.

Nga hetimet rezulton se disa ditë më parë, në një banesë tjetër në qytetin e Kukësit, shtetasi Sh. M. ka vjedhur 70 000 lekë, 500 euro dhe disa bizhuteri floriri.

Vijojnë veprimet hetimore për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 21.08.2023 11:06

Tags: ,