Është lënë në burg 60-vjeçari që plagosi efektivin e policisë gjatë një sherri në Himarë.
Theodhori Mërkuri ka dalë sot në seancë për masën e sigurisë, teksa Gjykata e Vlorës ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke caktuar “arrest me burg” për 60-vjeçarin.
Kujtojmë që efektivi i policisë Redin Çaushaj u plagos rëndë mbrëmjen e të martës teksa ndërhyri për të shuar sherrin mes dy personave në zonën e Pilurit.
Policia njoftoi zyrtarisht se rreth orës 23:00 të së martës, te kthesa e fshatit Pilur, disa shtetas po konfliktoheshin fizikisht me njëri-tjetrin.
Në momentin që po ndodhte konflikti, punonjësi i Policisë Redin Çaushaj, 28 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës Lukovë, jashtë orarit të shërbimit ishte duke kaluar në rrugë dhe kur ka parë personat që po konfliktoheshin ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.
Në këtë përpjekje të punonjësit të policisë, Mërkuri e ka goditur me armë të ftohtë duke e plagosur rëndë. Autori u arrestua pas disa orësh nga policia.