Policia e Korçës ka goditur një grup që merrej me transportin e lëndëve narkotike drejt Maqedonisë së Veriut.
Si rezultat i peracionit “Restart 15” u arrestuan katër persona.
Mësohet se pasi sigurohej lënda narkotike, magazinohej buzë liqenit në Pogradec, dhe për ta trafikuar atë drejt Maqedonisë së Veriut përdoreshin varka peshkimi.
Nga hetimi proaktiv njëmujor rezultoi se 4 të arrestuarit e kryenin këtë veprimtari kriminale, kundrejt pagesës 500 euro/kg lëndë narkotike.
Së bashku me lëndën narkotike, u sekuestrua 1 varkë peshkimi, 2 automjete dhe 4 celularë.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë:
-Ardian Toska; 51 vjeç
-Aurel Toska, 43 vjeç, punonjës pranë Qendrës së rritjes së Rasatit të Koranit
-Tane Bllazhe, punonjës pranë Qendrës së rritjes së Rasatit të Koranit.
-Roni Sulollari, 45 vjeç
Dy vëllezërit, Ardian dhe Aurel Toska siguronin lëndën narkotike që do të trafikohej dhe e magazinonin atë buzë liqenit, në fshatin Lin, Pogradec. Më pas lënda narkotike trafikohej drejt RMV-së, me varka peshkimi që drejtoheshin nga Roni Sulollari dhe Tane Bllazhe.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 26 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, 1 varkë peshkimi, 2 automjete dhe 4 celularë.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe për arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.