VIDEO/ “Erion Veliaj është përgjegjës…”, protesta kundër “përbindëshit” të betonit zhvendoset para bashkisë së Tiranës

Protesta e qytetarëve të Tiranës dhe përfaqësuesve të “Levizjes Bashkë” janë zhvendosur para Bashkisë së Tiranës.

Qytetarët protestojnë për të ndaluar “përbindëshin” që do të zhdukë një tjetër hapësirë publike në kryeqytet.

Kjo është protesta e dytë e qytetarëve, të cilët i kanë kërkuar edhe opozitës të reagojë, por kjo e fundit u mjaftua vetëm me një deklaratë se kjo çështje do të largonte vëmendjen nga inceneratorët.

Ndërkohë PD e Lulzim Bashës ka depozituar në SPAK ditën e sotme padinë për ndërtimin e kësaj Kulle.

Leja me kusht për qëndrën multifunksinale Mount of Tirana është miratuar në mbledhjen e datës 8 mars të KKT-së.

Sipas dokumentave, kulla që do të ndërtohet nga kompania Nova Construction 2012, në pronësi të Ilir Shtufit do të jetë 58 kate mbi tokë dhe 7 të tjera nën tokë. Projekti është hartuar nga studio daneze e arkitekturës Cebra.

“Nova Construction 2012” është përfituese e shumë tenderash nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me kompani të tjera. Ajo ka ndërtuar edhe godina të tjera shumëkatëshe në Tiranë, përfshirë këtu “Ëhite Toëer”, “Tirana Garden Building” dhe “Tirana Entry II”.

Mount Tirana

Projekti Mount Tirana u prezantua në tetor të vitit të kaluar në një aktivitet të posaçëm për përzgjedhjen e qëndrës shumëfunksionale të Tiranës. “Mount of Tirana” nga Cebra u shpall projekti fitues në një konkurs ku garonin 5 projekte nga studio të huaja.

Juria që shpalli fituese Mount of Tirana ishte e përbërë nga Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, si dhe një grup arkitektësh të mirënjohur si Pablo Bofill, Stefano Boeri, Filippo Innocenti dhe Freek Persyn.

Fillimisht Mount Tirana u prezantua se do të ishte 185 metra e lartë, por varianti përfundimtar i saj është rritur në 205 metër lartësi. Miratimi i kullës më të lartë në Tirana vjen në kulmin e debatit për betonizimin masiv të kryeqytetit me kulla shumëkatëshe. Kjo garë është bërë aq e ethshme sa rekordi i lartësisë së kullave thyhet vit pas viti./Albeu.com/


Shtuar 8.08.2023 19:45